Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy bashkëdrejtuan sot punimet e Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”.
Në përfundim të takimit, Rama në konferencë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ky samit tregoi mbështetjen për Ukrainën.
Rama tha se jo vetëm institucionet apo politika shqiptare, por i gjithë populli shqiptar është krah Ukrainës, krah të drejtës.
“Faleminderit të gjithëve që kemi ardhur sot këtu në Tiranë, nga rajoni ynë. Është moment i veçantë për ne këtu në Shqipëri, se nuk jemi vetëm të privilegjuar të mirëpresim kreun e shtetit, por edhe jemi të nderuar të mikpresim një udhëheqës të rezistencës, i cili në fakt nuk ka vetëm të bëjë me qëndresën kundër një agresioni brutal, por qëndron në të njëjtën kohë për demokracinë kundër ëndrrës neoimperialiste. Jam i kënaqur që sot patëm mundësinë të theksojmë qëndrimin tonë jo vetëm si një vend si Shqipëria, por një bashkësi vendesh e kombesh që ndajnë një qëndrim në Europën Juglindore që qëndrojnë me Ukrainën, krah së drejtës, për integritetin e vet territorial, për demokracinë”, tha Rama.
“Sa i takon shqip, e kemi bërë të qartë, jam mjaft krenar të them se nuk është vetëm qeveria, parlamenti, vetëm institucionet, por para së gjithash është i gjithë kombi, i gjithë populli i vendit tonë që qëndron krah Ukrainës dhe e mbështet në mënyrë të palëkundur. Do vazhdojmë të qëndrojmë krah Ukrainës e do ta mbështesim për aq kohë sa do jetë e nevojshme dhe për aq kohë sa të ndodhë një paqe që zgjat”, shtoi Rama.
Rama u ndal edhe tek mbështetja me municione për Ukrainën. Rama tha se shpesh kjo mbështetje ngec nga shtetet e mëdha për shkak të politikës së brendshme apo çështjeve burokratike.
Rama thotë se ky është një shqetësim, pasi nga ana tjetër kemi një agresor që po merr jetë në mënyrë të pamëshirshme.
“Shqipëria është një anëtare krenare e NATO-s, edhe pse e vogël, bashkë me gjithë partnerët nga Uashingtoni në Bruksel kemi dënuar agresionin dhe ne kemi bërë gjithçka mundur dhe do vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar Ukrainën me të gjitha mjetet. Në të njëjtën kohë jemi të vetëdijshëm për kapacitetit tona, jemi të ndërgjegjshëm që ajoi për të cilën ka nevojë Ukraina është mbështetja e të gjithëve, por para së gjithash mbështetja dhe ndihma e më të mëdhenjve dhe të pasurve”, shtoi Rama.
“E shohim me shqetësim që kjo mbështetje ndonjëherë, ngecet sepse Ukraina shndërrohet në një çështje të politikës së brendshme të një vendi apo një tjetri, apo se ndodhin vonesa të gjata burokratike. Nga ana tjetër kemi një agresor që nuk ndalet për as një sekondë së godituri në përpjekjen për të aneksuar edhe më shumë territor duke marrë në mënyrë të pamëshirshme jetë të pafajshme dhe duke shkatërruar Ukrainën dhe ta bëjë shumë të vështirë për familjet, gratë, fëmijët që të jetojnë një jetë normale”, tha Rama. /