Në raportin e Komisionit Evropian, puna e Antikorrupsionit sërish vlerësohet si pro-aktive, por konstaton se rekomandimet e tij shumë pak zbatohen nga ana e institucioneve. Sipas ish anëtarit të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Dragan Malinovski, efektiviteti i komisionit, në masë të madhe varet nga bashkëpunimi me institucionet e tjera.

“Puna e Komisionit kundër korrupsionit nuk mund dhe nuk duhet të shihet e izoluar dhe duhet të jemi të kënaqur nëse e prodhon atë që pritet prej tij dhe e kryen punën e tij me përkushtim, nëse nuk kemi epilog dhe efekt të duhur në shoqëri. Është e kotë nëse Komisioni kundër korrupsionit punon me cilësi nëse nuk veprohet sipas nismave të tyre dhe institucionet e tjera thjesht nuk e detektojnë problemin ashtu siç është”, tha Dragan Malinovski, ish anëtar i KSHPK-së.

Sipas Malinovskit, për të tejkaluar këtë situatë duhet të arrihet konsensus në strukturat qeverisëse në nivel qendror dhe lokal. Malinovski thotë se vetëm nëse arrihet kjo, do të ketë rezultate konkrete.

“Problemi ynë është mungesa e vullnetit politik. Me vite dhe dekada, nuk kemi pasur vullnet politik për t’u marrë me korrupsionin. Vullnet gjithmonë ka qenë në nivel deklarativ dhe ky është problemi. Përndryshe, nëse ka dëshirë, mendoj se është e mundur të vendoset rend dhe të vendosen parime të qeverisjes”, u shpreh Dragan Malinovski, ish anëtar i KSHPK-së.

Në raportin e Komisionit Evropian thuhet se duhet të vazhdohet me përpjekjet për përmirësimin e funksionimit të Antikorrupsionit, veçanërisht duke ndarë fonde shtesë për angazhimin e stafit profesional. Gjithashtu shtohet se zbatimi i strategjisë për parandalimin e korrupsionit dhe i Planit të veprimit vazhdon të ecë shumë ngadalë. Në këtë kapitull kushtuar korrupsionit, Brukseli nuk ka nënvizuar asnjë përparim. /Alsat.mk