Rreth 30 mijë qytetarë janë përfshirë në një aksion masiv për pastrimin e Shkupit, bëri të ditur kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski. Në reagimin e tij pas aksionit, Gjorgjievski falënderoi qytetarët që iu bashkuan nismës, duke theksuar se aksioni kishte për qëllim krijimin e një qyteti më të pastër dhe më të rregulluar.
Sipas tij, në aksion morën pjesë mijëra qytetarë, kryetarë komunash, përfaqësues të ambasadave, figura publike, të rinj dhe vullnetarë.
“Sot treguam se si dashurohet qyteti ynë. Me mëngët e përveshura, me bashkim dhe me shembull personal, mijëra bashkëqytetarë dolën me një qëllim – Shkup më të pastër dhe më të bukur”, shkroi Gjorgjievski.
Ai theksoi se çdo hapësirë e pastruar nënkupton, sipas tij, një mjedis më të shëndetshëm dhe më të sigurt për qytetarët, veçanërisht për fëmijët.
Gjorgjievski u bëri thirrje qytetarëve që të kujdesen për rrugët, parqet dhe lagjet e tyre, ndërsa apeloi edhe ndaj personave që ndotin qytetin që të respektojnë punën e qytetarëve të përfshirë në aksion.
Kryetari i Shkupit paralajmëroi gjithashtu se aksione të ngjashme do të organizohen **dy herë në muaj**, me synimin që kujdesi për pastërtinë dhe mjedisin të kthehet në një praktikë të vazhdueshme.
“Shkupi i pastër fillon nga ne dhe nga shembulli që lëmë pas vetes”, theksoi Gjorgjievski.

