Frekuenca e automjeteve në vendkalimet kufitare Bogorodicë dhe Tabanovcë është vërejtur dje dhe sot. Mëngjesin e sotëm është vërejtur edhe në videokamerat e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore se në pikat kufitare janë duke pritur autokolona me vetura.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton për AIM se në periudhën nga ora 10:00 e djeshme deri në ora 10:00 të mëngjesit të sotëm, për hyrje në Republikën e Maqedonisë së Veriut në VK Bogorodicë janë paraqitur gjithsej 3.444 udhëtarë.

“Për dalje nga Republika e Maqedonisë së Veriut janë regjistruar gjithsej 12.394, ndërsa numri i përgjithshëm i pasagjerëve në hyrje dhe dalje është 15.838 qytetarë”, njofton MPB.

Në të njëjtën periudhë në Tabanoc kanë hyrë gjithsej 8.173 persona, ndërsa janë larguar 10.049 persona, gjithsej 18.222 qytetarë.

Qytetarët thanë për AIM se në vendkalimin kufitar Tabanoc për dalje nga vendi pritet të paktën gjysmë ore, por theksojnë se të gjitha korsitë janë në funksion. Në anën tjetër, në VK Bogorodicë dukshëm është rritur numri i automjeteve që dalin jashtë vendit.

Bllokimi në vendkalimet kufitare Tabanoc dhe Bogorodicë është i zakonshëm gjatë fundjavave dhe festave. Numër i shtuar i automjeteve priten edhe të dielën, në mbrëmje./Telegrafi/