Përfaqësuesi i lartë i VLEN-it dhe kryetari i Zhelinës, Blerim Sejdiu, në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M ka deklaruar se VLEN ka ngritur standardin e qeverisjes dhe po merret me realizimin e secilës pikë të programit, ndërsa ka kritikuar BDI-në për mosrealizimin e premtimeve të saj ndër vite.
Sipas Sejdiut, nëse analizohet programi i BDI-së nga viti 2002 deri në vitin 2024, asnjë nga pikat e parapara nuk është realizuar.
“VLEN ka ngritur standardin dhe merret me çdo pikë, por nëse e merr programin e BDI-së nga viti 2002 deri më 2024, asnjë nga ato pika nuk i kanë realizuar”, deklaroi Sejdiu.
Ai përmendi si shembuj projektet dhe temat që, sipas tij, BDI i ka hapur vazhdimisht në debatet publike, por pa i përfunduar.
“E hapën dhe e mbyllën temën me rrugën Shkup–Bllacë, i hapën dhe i mbyllën të gjitha debatet me UÇK-në apo me Korridorin 8, por asgjë nga ato”, u shpreh Sejdiu.
Duke folur për krijimin e një Banke shqiptare, Sejdiu tha se ky projekt nuk është hequr nga agjenda dhe se po punohet për realizimin e tij.
Ai bëri të ditur se janë duke zhvilluar bisedime me disa biznese të sektorit bankar, të cilat kanë shprehur interesim për të ardhur dhe për të investuar në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk do të thotë se një bankë e tillë nuk do të realizohet. Jemi në bisedime që të vijnë disa biznese të sistemit bankar, të interesuara në Maqedoni në të ardhmen e afërt”, deklaroi Sejdiu.

