Kryetari i komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu gjatë pjesëmarrjes në “Debat 21” sonte e ka sulmuar ashpër kandidatin nga AKI, Isen Shabani duke i potencuar se është viktimë e politikave të Arben Taravarit. Siç dihet në këtë komunë nuk u arrit censusi i nevojshëm në zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet do të përsëritën. E njëjta situatë është edhe në Gostivar.
“Këtë duhet ta pranojmë. Jo rastësisht ndodhi kjo edhe në Gostivar, nuk jeni vetëm ju në këtë situatë. Qeveria ka faj që nuk u arrit censusi…? apo është vetë faj i paraqitjeve të kandidatit…”, i është drejtuar Sejdiu, Shabanit të AKI-së.
Sipas tij, nuk ka nevojë për shqetësim, sepse në Maqedoninë e Veriut kjo ka ndodhur edhe më herët ku nuk është arritur censusi dhe është emëruar kryetar i përkohshëm administrativ, derisa janë shpallur zgjedhjet.
“Pra do të ndodhë kjo edhe në Gostivar dhe Vrapçisht dhe do ketë zgjedhje me vota të lira dhe demokratike dhe do të dilet të votohet, kaq”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka bërë publike se në përsëritjen e zgjedhjeve lokale në Gostivar dhe Vrapçisht do të ketë kandidatë të rinj për kryetarë nga radhët e VLEN.

