Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë futur në listën e zezë 10 individë nga Ballkani. Sipas Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Persona non grata për SHBA-në nga Maqedonia e Veriut u shpallën Ratka Kunovska Kamçeva, Irina Samsonenko dhe Sergej Samsonenko. Bëhet fjalë për nënën e biznesmenit Orce Kamçev si dhe biznes-partnerin e tij, Samsonenko dhe bashkëshorten e tij. Vet Kamçev u fut në listën e zezë amerikane më 19 korrik të këtij viti. Kamçev dhe nëna e tij janë të akuzuar për pastrim parash në rastin e ish PSP-së “Parcelat në Vodno”, që kishte të bënte me pronat e ish kryeministrit azilant Nikolla Gruevski në Vodno. Të gjithë të lartpërmendurit sipas SHBA-ve janë të përfshirë sikurse dhe Kamçev në korrupsion.

“Samsonenko, Irina dhe Kamceva janë caktuar në bazë të vendimit ekzekutiv 14033 se kanë ndihmuar materialisht, sponsorizuar ose ofruar mbështetje financiare, materiale ose teknologjike për, ose mallra, shërbime në mbështetje Jordan Kamçevit, një personi, prona dhe interesat e pronës së të cilit janë të bllokuara në përputhje me vendimin ekzekutiv 14033”, thonë nga Thesari amerikan.

Në listën e zezë amerikane u fut edhe Miodrag “Daka” Davidoviq, biznesmen nga Mali i Zi. Davidoviq është i dyshuar për kontrabandë cigaresh, armësh dhe naftë në Mal të Zi. Aktivitetet joligjore Davidoviq i ka zgjeruar edhe në MAqedoni. Ai ishte i përfshirë edhe në rastin e arrestimit të ish sekretarit të qeverisë në Maqedoni, Dragi Rashkovski.

“Ai (Davidoviq) ishte gjithashtu i implikuar në skandalin që çoi në arrestimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Dragi Rashkovski, në kohën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Rashkovski dyshohet se ka marrë ryshfet nga Davidovic për të realizuar një takim me kryeministrin Zaev për të avancuar interesat e biznesit të Davidovic”, shtuan nga Thesari amerikan.

Ambasadorja amerikane në Shkup Ageler pas shpalljes së listës së zezë deklaroi se SHBA-të do të vazhdojnë ti sanksionojnë dhe mbajnë përgjegjës individët dhe bizneset që janë të përfshirë në korrupsion.

“Njoftimi i sotëm është një paralajmërim për individët që abuzojnë me pushtetin e tyre dhe përfitojnë nga besimi i njerëzve. Shtetet e Bashkuara mbajnë përgjegjës aktorët e korruptuar. Ky vendim ju kujton se me kë bëni biznes mund dhe do të ndikojë ndaj jush dhe familjeve tuaja”, deklaroi Angela Ageler, Ambasadore e SHBA-së në Shkup.

Në listën e zezë prej 10 personave ndodhen edhe Savo Cvijetinoviq, Petar Gjokiq, Dushko Peroviq dhe Nenad Popoviq nga Bosnja e Hercegovina; Branisllav Miqunoviq nga Mali i Zi; dhe Misha Vaçiq nga Serbia. /Alsat.mk