Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar edhe një herë miratimin e një rezolute ligjërisht të detyrueshme të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës.

Robert Wood, zëvendësambasadori i SHBA në Kombet e Bashkuara, vuri sot veton ndaj rezolutës në Këshillin e Sigurimit. Të gjithë anëtarët e tjerë të trupit prej 15 anëtarësh votuan pro.

Teksti u dorëzua nga të 10 anëtarët jo të përhershëm të organit më të fuqishëm të OKB-së. Pas javësh negociatash dhe ndryshimesh me kërkesë të SHBA-së, në fund pati ende mosmarrëveshje.

SHBA, një aleate e vendosur i Izraelit, kishte kërkuar pa sukses që armëpushimi të lidhej me lirimin e pengjeve që ende mbahen nga militantët në territorin palestinez.