Nga Albrim HOXHA
Ajo që ndodhi mbrëmë ishte ajo që më së shumti i trembej, besoj unë, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti. Ai e ka dashur Aleancën të tërën për vete në zgjedhjet e ardhshme.
Atë që e realizoi me lehtësi para një viti, kur e mori këtë parti pranë vetes, po i ik nga duart me po aq lehtësi një vit më pas. Zhvillimet më tej nuk varen më prej tij.
Me Taravarin kundër tij, Ahmeti humb gjasat për të bërë diçka më shumë në Pollog, ku vendoset fati i zgjedhjeve për shqiptarët, si hapësirë me hambarin më të madh elektoral. Kështu i mbetet njësia e pestë zgjedhore si mundësi për të zbutur humbjet nga njësia e gjashtë. Por për këto është herët ende.
Taravari me zgjuarsi vendosi që publikisht të kërkojë mbështetje nga organet partiake për një koalicion me opozitën shqiptare, që për herë të parë, mendoj unë (siç mendojnë shumica e njohësve të situatës politike), po rrezikon seriozisht fronin e BDI-së.
Kundërshtimet ndaj tij, një pjesë shumë të ashpra, janë nga funksionarë që e dinë se kjo arritje momentale e tyre është maksimumi që kanë mundur të nxjerrin nga kjo parti e me shpresë se, ku i dihet, edhe mund të “kafshojnë” diçka më tepër.
Broçkullat për ruajtje të vijës ideologjike të ASH-së, janë të tilla (broçkulla) sepse ka një kohë që kjo parti nuk ka ideologji. Të paktën, kjo ideologji nuk po reflektohet në veprimet e lidershipit të tyre. Dhe këtu, faj ka dhe Taravari!
ASH e vetme në zgjedhje, që duket si një përpjekje e dëshpëruar si shpëtim nga “mundësia për koalicon me opozitën shqiptare”, është një shërbim që i shkon për shtati vetëm BDI-së. Madje, për mendimin tim, ky shërbim do të ishte më i madh edhe sesa të shkonin në lista të përbashkëta me BDI-në.
Nëse një kryetar partie i zgjedhur nga Kongresi partiak nuk mund të përcaktohet për koalicion me ndonjë a më shumë parti, për të realizuar atë mbi të cilën është ngritur ajo parti, atëherë ç’u dashka pozita “kryetar” në parti. Kryetari i partisë nuk është vetëm për fotografi, takime e fjalime të bukura. Mbi të gjitha, ai drejton partinë dhe merr përgjegjësinë për veprimet e asaj partie. Pra, ata që ia kanë besuar pozitën e kryetarit, pse nuk po i besojnë edhe përcaktimit të tij për një koalicion që duket si i vetmi që mund të sjellë ndryshimin, që edhe ajo parti e kërkon!?
Ka dhe një fakt tjetër që siç duket harrohet qëllimisht. Arben Taravari nuk është sprovuar ende në zgjedhje parlamentare si kryetar partie. Kryetari vlerësohet sidomos nga rezultatet në zgjedhje. Deri sot ai konsiderohet si figura më e suksesshme e ASH-së duke e mundur keqas në dy palë zgjedhje BDI-në.
Me çfarë suksesesh, për shembull, do të mund të krenoheshin kontestuesit e Arben Taravarit?
Shkurt e shqip: vendimi i Taravarit – vendim prej kryetari!