Një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili punonte si shofer kamioni, ka humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku në autostradën Bregana – Zagreb në Kroaci.
Aksidenti ka ndodhur dje, pak pas orës 14:00, kur kamioni që ai drejtonte ka dalë nga rruga dhe është përplasur me mbrojtëset anësore të autostradës. Pas përplasjes, automjeti ka goditur një linjë elektrike dhe më pas është përfshirë nga flakët, sipas njoftimit të Departamentit të Policisë së Brod-Posavinës.
Ngjarja ka ndodhur pranë zonës së Sredancit, në drejtim të Breganës. Policia fillimisht ka marrë raportime për zjarr në një automjet me një person brenda.
Sipas informacioneve jozyrtare, shoferi ka mbetur i bllokuar në kabinën e kamionit dhe nuk ka arritur të dalë, duke humbur jetën në vendngjarje. Mediat kroate raportojnë se viktima është shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Në vendin e aksidentit kanë ndërhyrë të gjitha shërbimet emergjente, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të ngjarjes.

