“Sot, përfaqësues të Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme të Tetovës realizuan takim me Kryetarin e Komunës së Bogovinës, ku u diskutua për një projekt të ardhshëm në mbështetje të semimaturantëve, me qëllim informimin dhe orientimin e tyre në zgjedhjen e shkollës së mesme.
Ky projekt synon t’u ofrojë nxënësve të klasave të nënta më shumë qartësi mbi drejtimet, mundësitë dhe perspektivat që ofrojnë shkollat e mesme, në mënyrë që vendimi i tyre të mos jetë i rastësishëm, por i menduar, i informuar dhe i lidhur me interesat e tyre.
Gjatë takimit, Kryetari i Komunës së Bogovinës shprehu vlerësim dhe simpati për punën që po bën UNSHMT, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së nxënësve në iniciativa që prekin drejtpërdrejt arsimin dhe të ardhmen e tyre. Ai shprehu mbështetje maksimale për punën tonë dhe gatishmëri që bashkëpunime të këtilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në kontinuitet dhe me përkushtim të përbashkët.
Si UNSHMT, besojmë se orientimi i semimaturantëve është një hap shumë i rëndësishëm, sepse zgjedhja e shkollës së mesme shpesh përcakton drejtimin e mëtejshëm akademik, profesional dhe personal të një nxënësi. Prandaj, institucionet dhe organizatat nxënësore kanë përgjegjësi të krijojnë hapësira ku të rinjtë informohen drejt dhe ndihen të mbështetur.
Falënderojmë Kryetarin e Komunës së Bogovinës për pritjen, vlerësimin dhe mbështetjen institucionale.
UNSHMT mbetet e përkushtuar të jetë urë lidhëse mes nxënësve, shkollave dhe institucioneve, duke ndërtuar iniciativa që kanë vlerë reale për të rinjtë dhe komunitetin”, ka shkruar në Facebook, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme të Tetovës.

