Në Gjykatën Themelore Penale sot ka përfunduar gjykimi për aksidentin e trafikut në të cilin humbi jetën një fëmijë dhjetë vjeçar në bulevardin “Nikola Karev” në pjesën e njohur si rruga e Plastikave, në Shkup 21 vjeçari autor i veprës penale ka pranuar fajin, duke thënë se i vjen keq për aksidentin tragjik.
Më 12 tetor në ora 16:40 në bulevardin “Nikola Karev” në Shkup, i akuzuari nuk i ka respektuar rregullat e parapara dhe ka vozitur me shpejtësi 76 kilometra në orë, ndërsa me pjesën e përparme të veturës ka goditur trupin e këmbësorit – 10 vjeçarin, i cili si këmbësor ka kaluar rrugën jashtë një vendkalimi të shënuar për këmbësorë. I akuzuari tha se është larguar nga vendi i ngjarjes nga frika se mos të sulmohet fizikisht.
Si pasojë e goditjes fëmija vdes në vend, ndërsa shoferi largohet nga vendi i aksidentit pa dhënë ndihmë.
“Më vjen shumë keq për atë që bëra. Jam pishman për atë që bëra. Unë nuk mund të fle. E pranoj me vetëdije dhe vullnetarisht veprën”, tha i akuzuari. /SHENJA/