Në shkolla të caktuara akoma nuk janë kryer kontrolle nëse pajisjet kundër zjarrit janë në funksion pavarësisht që këto kontrolle duhet të kryhen të paktën një herë në vit, shkruan Alsat.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se për të vepruar si duhet në rast të ndonjë fatkeqësie fillimisht do të trajnohen mësimdhënësit pastaj nxënësit.
“Thuajse në të gjitha shkollat ka pajisje kundër zjarrit megjithatë në disa shkolla ndodhë që aparatet nuk janë kontrolluar gjatë vitit pavarësisht që të njëjtat duhet të kontrollohen një herë në vit. Marrëveshja e parë është se ne fillimisht duhet t’i trajnojmë mësimdhënësit të dinë se si të veprojnë në gjendje të tillë dhe pastaj këto njohuri t’ua përcjellin nxënësve sepse ato janë me fëmijët dhe duhet tu tregojnë si të veprojnë në rast të një gjendje të tillë. E rëndësishme është se procesi ka filluar dhe do të vazhdojë derisa nuk përfshihet i gjithë vendi”, u shpreh Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Kreu i Kisella Vodës dhe BNJVL-së, Orce Georgievski tha se nuk ka hapësirë për frikë dhe panik duke shtuar se nxënësit janë të sigurt. Ai shtoi se në të ardhmen, në shkollat dy katëshe do të parashikohet ndërtimi i shkallëve nga jashtë.
“Në disa shkolla ka, ato që janë në dy kate. Ky është proces që duhet marrë parasysh në periudhën e ardhshme. Nuk ka hapësirë për panik dhe frikë, e arsyeshme ishte frika dhe paniku i tyre mirëpo fëmijët janë në duar të sigurta dhe ne jemi garantues. Në periudhën e ardhshme si kryetar i BNJVL-së do të zotohem që detyrimisht më së paku një herë në vit, në bazë të ligjit patjetër të kryhen kontrolle të rregullta dhe jo të mbetet në vullnetin e mirë të kryetarëve të komunave ose shërbime siç ishe rasti deri më tani”, tha Orce Gjorgjievski, kryetar I Komunës Kisella Voda.
Gjorgjievski pranoi se shumë ndërtesa të vjetra ballafaqohen me mungesë të pajisjeve kundër zjarrit. Ai shtoi se tashmë ka kërkuar nga të gjithë kryetarët e komunave që në ditët në vijim të dorëzojnë procesverbal nga inspektimet e kryera nga secila komunë, i cili duhet të nënshkruhet nga të gjithë personat përkatës që kanë marrë pjesë në inspektimet në terren./ Alsat.mk