Si dallohen simptomat e gripit nga simptomat e te ftohurës?
Gripi dhe e ftohura janë dy sëmundje të ndryshme. E ftohura është relativisht më pak e dëmshme dhe kalon vetë brenda disa ditëve, edhe pse ndonjëherë mund të ketë komplikime, nga të cilat më i shpeshtë është infeksioni i veshit.
Gripi është një sëmundje më serioze, e cila gjithashtu mund të shkaktojë komplikime, siç është rasti i pneumonisë por mund të shpie edhe deri te vdekja. Për ndryshim nga gripi, simptomat e ftohjes janë më shumë rezultat i përgjigjes imunitare ndaj infeksionit sesa dëmtim i indeve të shkaktuara nga vetë virusi.
Megjithatë, simptomat e gripit dhe të ftohjes shpeshherë ngatërrohen dhe dallimi mes tyre duhet të vihet re, kështu që monitorimi i hollësishëm i simptomave mund të lehtësojë diagnostifikimin e saktë të sëmundjes.
Edhe pse jo-specifike, simptomat më të shpeshta të sëmundjes janë temperaturë e lartë dhe kollë, veçanërisht tek personat më të rinj se 60 vjeç, ndërsa në rastin e ftohjes, kollitja është e një forme më të lehtë (në 50% të rasteve mungon), rrallë vërehet që temperatura të jetë e theksuar, ndërsa në përgjithësi dominojnë simptomat e lidhura me mukozën e traktit respirator të sipërm, hundës dhe fytit.