Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka thënë se për Shqipërinë e Kosovën bashkëpunimi është prioritet i pandashëm, ndërsa ka veçuar se në Kosovë ndihet si në shtëpinë e saj.
Spiropali në fillim të konferencës së përbashkët për media në Prishtinë me kryekuvendarin e Kosovës, Glauk Konjufca, ka kujtuar sulmin terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA. Ajo ka thënë se SHBA-ja e Kosova ishin rreshtuar krah aleatëve strategjikë në luftën kundër terrorizmit.
Spiropali ka thënë se ka biseduar me Konjufcën për një mbledhje të radhës të kuvendeve të dy shteteve.
“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Për Shqipërinë e Kosovën bashkëpunimi është prioritet i pandashëm, është binom stabilizues e orientues për të nesërmen tonë dhe të gjithë rajonit. Ne kemi biseduar që si kryetarë të parlamenteve t’u sugjerojmë qeverive konkretizim më të detajuar të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës, duke e bërë atë model inkurajues për bashkëpunim rajonal ndërshqiptar e më gjerë”, ka thënë Spiropali.
Ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Ka thënë se duhet medoemos të ketë si rezultat nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore që mundëson njohjen e ndërsjellë.
“Dialogu Kosovë – Serbi në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjik SHBA-në e BE-në, duhet të ketë medoemos si rezultat nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjërisht që mundëson njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB e BE, si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve konform kushtetutës…Është proces i gjatë por herët a vonë në fund të tunelit do të ketë medoemos një dritë, që do të dëshmojë realitetin e pakthyeshëm gjeopolitik – republikën më të re evropiane të Kosovës”, ka thënë Spiropali.
Ajo ka thënë se në Tiranë është bindja e palëkundur se Kosova do ta përmbyllë këtë proces me vizion evroatlantik, si partner serioz e i fortë për partnerët strategjikë.
“Ashtu siç është, siç është dëshmuar dhe siç do të jetë gjithmonë”, tha Spiropali.
Ajo e ka dënuar sulmin terrorist në Banjskë, e po ashtu sulmet në veri ndaj KFOR-it e gazetarëve.
“Autorët, organizatorët e nxitësit e akteve duhet të mbajnë përgjegjësi e të dalin para drejtësisë. Nuk mund të kesh të ardhme të qëndrueshme pa qortuar të shkuarën, nuk mund të kesh kapitull të ri të marrëdhënieve në rajon pa mbyllur ndershmërisht, moralisht, ligjërisht e politikisht kapitujt e dhimbshëm e tragjik të së shkuarës”, tha Spiropali.
Ajo ka thënë se deputetët e Shqipërisë do të jenë gjithmonë në mbështetje të Kosovës.