8 C
Tetovo
E hënë, 15 Qershor, 2026
BallinaLajmeRajoniSpiropalizohet Marjana Koçeku:Largohem nga PS dhe jam deputete e pavarur!

Spiropalizohet Marjana Koçeku:Largohem nga PS dhe jam deputete e pavarur!

Një zhvillim i papritur ka ardhur nga radhët e Partisë Socialiste, ku deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, e njohur ndryshe si “Neomalsorja”, ka njoftuar se nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar socialist.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Koçeku përmes një postimi në rrjetet sociale, ku deklaron se nga sot do të ushtrojë mandatin si deputete e pavarur.

“Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, shkruan ajo.

Koçeku ishte një nga emrat e rinj që Edi Rama promovoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 për qarkun e Shkodrës, duke u paraqitur si një figurë që vinte nga aktivizmi qytetar dhe jo nga strukturat tradicionale politike. Megjithatë, vetëm pak kohë pas hyrjes në Kuvend, ajo ka vendosur të shkëputet nga Partia Socialiste dhe të vijojë mandatin si deputete e pavarur.

Deputetja nuk ka dhënë shpjegime të detajuara mbi arsyet e këtij vendimi, por në reagimin e saj ka lënë të kuptohet se zgjedhja lidhet me bindjet personale dhe kufijtë që, sipas saj, nuk mund të tejkalohen për shkak të idealeve dhe vlerave që përfaqëson.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Partia Socialiste po përballet me debate të brendshme dhe tensione publike, të cilat janë bërë më të dukshme gjatë javëve të fundit.

Largimi i Koçekut nga grupi parlamentar socialist vjen gjithashtu në një periudhë kur në qendër të vëmendjes është vendosur edhe përplasja publike mes Elisa Spiropalit dhe kryeministrit Edi Rama. Në javët e fundit, Spiropali ka shprehur publikisht qëndrime kritike ndaj mënyrës së funksionimit të partisë, meritokracisë dhe hapësirës për debat të brendshëm, duke sjellë një nga debatet më të komentuara brenda kampit socialist.

Edhe pse nuk ka asnjë deklaratë që e lidh drejtpërdrejt vendimin e Marjana Koçekut me situatën e krijuar mes Spiropalit dhe drejtimit të PS-së, fakti që largimi i deputetes ndodh në të njëjtën periudhë ka shtuar interesin mbi zhvillimet dhe dinamikat e brendshme në mazhorancë.

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments