Mund të them ja kemi pasur ndoshta 5% të votave të etnive të tjera më të vogla. Kështu tha sonte Arben Taravari, njëri nga liderët e partive politike të koalicionit “VLEN”.
I pyetur nëse “VLEN” ka pasur ose jo të gjitha votat e pastra shqiptare, në emisionin “Klan Debat” në Tv Klan, Taravari u përgjigj:
“Jo nuk mund të them se i kemi pasur të gjitha votat vetëm prej shqiptarëve, pasi e dini na lidhin miqësi, shoqëri me turqit, romët dhe boshnjakët. Ja e them se ne ndoshta kemi pasur 5% të votave nga ata, por të gjitha të tjerat janë të shqiptarëve”, deklaroi mes tjersh Taravari.
Ai tha se Fronti Europian nëse nuk do ti kishte në koalicion partitë turke, rome dhe boshnjake nuk do të kishte më shumë se 85 mijë vota shqiptare. Sqaroi se numri i votuesve shqiptarë ka rënë, ndërsa sipas tij Fronti vetëm nga PDT (Partia Demokratike Turke) ka marr rreth 18 mijë vota.
“PDT është parti e organizuar dhe e di se votuesi i tyre ka votuar ashtu siç u ka rekomanduar partia”, shtoi Taravari.
Ai tha se opozita shqiptare asnjëherë nuk ka arritur të marr 107 mijë vota te shqiptarët siç ndodhi me “VLEN” në zgjedhjet e 8 majit.
Sipas asaj që theksoi Taravari, Fronti Europian ka marr rreth 95 % të votave të pakicave me çka nuk mund të thirret në legjitimitet të shqiptarëve, pasi siç tha, BDI dhe Fronti tani janë një koalicion multietnik.
Ndryshe, Taravari tha se deri në fund të kësaj jave, gjegjësisht të premten do të bëhen të ditura dikasteret që do të drejtojë VLEN dhe VMRO-DPMNE në qeverinë e ardhshme dhe do të bëhen të ditura edhe emrat e kuadrove. Për këta të fundit, garanon se VLEN do të ketë kuadro me CV të pasur, të dëshmuar në karrierë dhe pa të kaluar politike apo drejtues institucionesh.
Përsëriti se parimet e qeverisë së re do të jenë ndryshimet kushtetuese, zhvillimi ekonomik dhe luftë e pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit.