Lista pozitive po zgjerohet me 9 barna të reja pothuajse të pashmangshme për shumicën e sëmundjeve në vend, tha ministri i Shëndetësisë Arben Taravari gjatë vizitës së sotme në ISHP Klinikën Universitare për Kirurgji Digjestive Shkup, transmeton Portalb.mk.
Ministri Taravari tregoi se sot do të nënshkruajë vendimin për zgjerimin e vendimit pozitiv.
“Kështu do të kemi antihipertensivë të rinj, antikoagulantë të rinj, antidepresivë të rinj. Sot, sapo të kthehem nga këtu, do ta nënshkruaj, sepse dje ka kaluar propozimi ynë i Ministrisë së Shëndetësisë në Bordin Drejtues të FSSh-së. Dhe ky është një lajm që ia vlen të përhapet dhe të tregohet dhe kështu do të vazhdojmë”, tha ministri.
Ai shtoi se pas 6 muajsh do të rishikohen sërish mundësitë për një zgjerim të ri të listës pozitive për t’ua lehtësuar pacientëve.
“Pas 6 muajsh planifikojmë ta zgjerojmë listën plus me disa barna të tjera, megjithatë do të duhet të ulemi me drejtorin e Fondit, të shohim se cilat janë mundësitë që disa barna të tjera të jenë në listën pozitive dhe t’ua lehtësojmë kryesorëve në resorin tonë, dhe ata janë pacientët, ndërsa ne jemi të gjithë pacientë potencialë”, tha Taravari.
Në fund të muajit korrik, ministri Arben Taravari kishte sqaruar që zgjerimi i listës pozitive të barnave është në pritje të zgjedhjes së Bordit të ri Drejtues të Fondit të Shëndetësisë. Sipas tij, nuk ka asnjë problem financiar për zgjerimin e listës dhe as të diskutueshme nëntë barnat e paralajmëruara që do të futen në të.