Kandidati për president nga koalicioni VLEN, Arben Taravari ka qëndruar sot në Veles dhe Jabollçishtë ku ka vazhduar aktivitetet parazgjedhore. Ai me këtë rast ka vizituar tregun, ka takuar edhe disa afaristë, si dhe ka vizituar xhaminë. Qytetarët i kanë thënë Taravarit se po jetojnë me vështirësi, ndërsa ai theksoi se pjesë e programit të tij presidencial është edhe ekonomia. Mendimet e qytetarëve për politikat ekonomike, por edhe për politikën në përgjithësi janë shumë të rëndësishme, tha Taravari.

“Të vizitojmë Velesin dhe disa vendbanime rreth Velesit, kaluam xhaminë e Velesit, pastaj në tregun e qytetit dhe tani të bisedojmë dhe bashkëbisedojmë edhe me bizneset e vogla dhe me qytetarët e këtij qyteti. Uroj të kemi takime të mira, do të kërkojmë mbështetje, por edhe të marrim fidbekun prej qytetarëve për qëndrimet e tyre dhe mendimet e tyre për politikat aktuale në shtet”, – deklaroi kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari.