Gjiganti i teknologjisë në pronësi të miliarderit Elon Musk, ka shpallur një konkurs për një punë disi të çuditshme të krijuar për nevojat e trajnimit të robotit humanoid Optimus.
Në ueb-faqen e Tesla, kompania e njohur për prodhimin e modeleve të veturave elektrike me të njëjtin emër, dhe së fundmi për projektimin, zhvillimin dhe prodhimin e një roboti humanoid të quajtur Optimus, u vu re një reklamë për një vend të ri pune, në të cilën kërkohet “operator i mbledhjes së të dhënave”, transmeton Telegrafi.
Përshkrimi i punës zbulon se punëtori me fat (më saktë – punëtorë, sepse kërkohen disa kandidatë për këtë punë) do të ngarkohet me aktrimin e robotit çdo ditë gjatë punës me kohë të plotë.
Ata pritet të jenë në lëvizje për më shumë se shtatë orë çdo ndërrim, duke mbajtur njëkohësisht objekte që peshojnë deri në 15 kilogramë ndërsa ecin në një rrugë testimi ku mblidhen në mënyrë digjitale të dhënat e nevojshme për të projektuar, programuar dhe trajnuar robotin.
“Kandidatët për pozitën nuk kanë nevojë të kenë arsim formal inxhinierik apo programimi. Fizikisht, ata duhet të jenë të gjatë midis 170 dhe 180 centimetra dhe të jenë në gjendje të qëndrojnë në këmbë, të ulen, të ecin, të përkulen, të arrijnë dhe të kthehen”, thuhej në reklamë.
Përveç kësaj, thuhet se “për periudha të gjata kohore” ata duhet të veshin një kostum të pajisur me sensorë elektronikë të lëvizjes dhe kapelë VR audio-vizuale, me reklamën që tregon se pajisja në fjalë mund të çorientojë përdoruesin, duke çuar potencialisht në “VR simptomat e nauzesë”.
Objektivat kryesore të punës janë mbledhja e të dhënave digjitale mbi lëvizshmërinë dhe pozicionimin hapësinor, si dhe mbështetja e aktiviteteve që lidhen me kërkesat inxhinierike, duke përfshirë raportimin e çdo problemi të pajisjeve.
Punëdhënësi – Tesla, i cili është në pronësi të Elon Musk – ofron 48 dollarë amerikanë (rreth 43 euro) në orë për këto detyra, që do të thotë se me kohë të plotë, një aplikant i suksesshëm për punë mund të presë një pagë mujore prej rreth 6800 deri në 7500 euro.