Komuna e Tetovës ka ulur borxhin nga 14 në 8 milionë euro. Kështu deklaroi kreu i komunës Bilall Kasami, shkruan Alsat.
Ai tha borxhi është ulur falë menaxhimit të mirë me financat e komunës. Kasami mohoi se borxhi është ulur me fondet që i lëshoi Ministria e Financave.
“Që nga zv/kryeministri i parë dhe eksponentë të tjerë të Qeverisë u munduan ta dezinformojnë opinionin se Qeveria ka ndihmuar Komunën e Tetovës por nuk është ashtu. Përkundrazi, si në shumë raste tjera edhe në këtë rast Qeveria ka penguar realizimin e një obligimi ligjor që ka pasur. Me këtë instrument komuna e krediton Qeverinë, pra financon Qeverinë, shkaku se është aneksi dytë i marrëveshjes së nënshkruar me Qeverinë ku përcaktohen ratat që komuna ia paguan Qeverisë çdo vit. Pra parashihet që brenda dhjetë viteve, komuna çdo vit një të dhjetën e instrumentit prej 4 milionë euro ne t’ia paguajmë qeverisë, pra në vit nga 400 mijë euro”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Kasami tha se pas uljes së borxhit, në fokus kryesor ka borxhin e mbetur i cili është në përmbarim, sepse për të njëjtin paguhen kamata prej 12 për qind.
“Ajo që është më prioritare është pjesa e përmbaruesve që është brenga kryesore e jona, shkaku se gjitha obligimet që janë në përmbarim për to paguajmë 12 për qind kamata dënimi. Pra për një milion euro ne mbi 100 000 euro paguajmë kamata dënimi”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Në borxhin e mbetur, pjesën më të madhe të listës e zënë borxhet e ish kryetari i këshillit, dhe këshilltarët e ish përbërjes komunale, të cilat, për mos pagesën e pagave apo paushallëve, e kanë hedhur komunën në përmbarues dhe borxhi i tyre duhet kthyer me kamata të majme./ Alsat.mk