Reagim zyrtar pas incidentit gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë
Kumanovë, 2 gusht 2025
Pas thirrjeve të papranueshme, ofenduese dhe raciste të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të zhvilluar më 2 gusht në sallën sportive të qytetit të Kumanovës, Sektori për Punë të Brendshme (SPB) në Kumanovë ka nisur procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Sipas njoftimeve zyrtare, më 4 gusht pritet të analizohen pamjet filmike nga kamerat e sigurisë, ndërsa në koordinim me Prokurorinë Publike do të ndërmerren masat e duhura për identifikimin dhe ndëshkimin e personave të përfshirë.
Ngjarje të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me frymën e sportit, bashkëjetesës dhe vlerave që përfaqëson një shoqëri demokratike. Sporti duhet të jetë një mjet për bashkim, respekt dhe solidaritet – jo një skenë për gjuhë urrejtjeje apo ndasi etnike.
Dënojmë fuqimisht çdo formë të huliganizmit, nacionalizmit dhe gjuhës së urrejtjes në ambientet sportive. U bëjmë thirrje institucioneve që të veprojnë me vendosmëri dhe të japin një mesazh të qartë, në sport nuk ka vend për urrejtje!