Në nder të viktimave të zjarrit në diskotekën “Puls” nga Koçani, aktualisht në sheshin “Maqedonia” në qendër të Shkupit po mbahet një tubim qytetar, ku janë të pranishëm një numër i madh qytetarësh.

Tubimi është organizuar nga Nisma Qytetare “Kush është i radhës”.

“Maqedonia është sërish e mbuluar me zi. Të shkatërruar dhe në ankth, ulem para ekraneve duke pritur një numër më të madh viktimash, duke pritur një dhimbje më të madhe. 59 të rinj nuk e panë këtë ditë. Dyfish më shumë janë në spitale dhe të plagosur rëndë. Ne, ashtu si fëmijët në diskotekë, jemi sërish të pafuqishëm dhe të lënë në mëshirë të fatit. Në këto ditë zie, Maqedonia duhet të jetë bashkë. Duhet të jemi krah për njëri-tjetrin dhe të japim ngushëllim, nëse mundemi. “Kush është i radhës?” bën thirrje për unitet në këtë tmerr. I ftojmë të gjithë njerëzit në mbarë Maqedoninë, nesër në orën 18:00 të mblidhen në sheshet e qyteteve të tyre dhe të mos kalojnë këtë dhimbje vetëm.

Bëjmë thirrje që, në nder të të ndjerëve, të ndahen shirita të zinj, në mënyrë që si popull të tregojmë se jetët e shuar nuk do të harrohen. Ditët e errëta sapo kanë filluar për ne, dhe në mbarë Maqedoninë do të ketë vaj dhe dhimbje. Vetëm kështu Maqedonia do të mund të shërohet bashkë.

Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet dhe u prehshin shpirtrat e tyre në paqe,” u publikua dje nga kjo Nismë, gjatë thirrjes për tubimin e sotëm.