Të paktën 12 persona mbetën të vrarë dhe katër të tjerë u plagosën rëndë të mërkurën (1 janar) nga të shtënat me armë që nisi në një tavernë në Cetinje të Malit të Zi.
Sipas mediave malazeze, mësohet se viktimë e kësaj tragjedie kanë mbetur shtatë burra, tre gra dhe dy fëmijë.
Të gjitha njësitë policore, si dhe pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë, kanë kërkuar me orë të tëra për të dyshuarin Aco Martinovic, i cili vdiq pak minuta para mesnatës, pasi qëlloi veten në kokë kur, siç konfirmoi ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë, Lazar Shqepanovic, policia e rrethoi atë në afërsi të shtëpisë së familjes në vendbanimin Humci.
Ai ka ndërruar jetë rrugës për në Qendrën Klinike në Podgoricë.
Martinoviçi e filloi krimin në tavernën “Velestovo”, afër Qendrës Sportive në hyrje të Cetinjes, ku vrau katër persona dhe më pas vrau tetë të tjerë në tre vende të tjera në qytet, në mesin e tyre tre gra dhe dy djem, të dy vëllezër nga 10 dhe 13 vjeç.
Katër personat e lënduar janë operua, ndërsa drejtori i spitalit ka thënë për mediat se tre nga të plagosurit rëndë ndodhen në reanimacion dhe lëndimet e tyre janë të rënda, por parametrat jetikë “aktualisht janë stabile”.
Operacioni i të lënduarit të katërt, i cili ka lëndime të shumta në kokë, stomak dhe gjoks, siç ka sqaruar mjeku, ka zgjatur deri në orët e hershme të mëngjesit.
Rreth orës 20:00 policia kishte informacione se Martinovici ishte parë në njërën nga sallat e braktisura të ish-uzinës “Obod”, por pas kontrollit të objektit nuk është gjetur aty.
Si ndodhi ngjarja?
Të dhënat e para tregojnë se Martinovici mëngjesin e djeshëm ka qenë në tavernën e vogël “Velestovo”, ku gjatë ditës është shoqëruar me pronarin dhe disa të njohur e miq të tjerë të përbashkët, pasi kanë bërë festën e Vitit të Ri.
I dyshuari dyshohet se ka pasur një debat, e më pas ka ndodhur një përleshje në lokal, pas së cilës ai ka shkuar në shtëpi, e më pas, pas një kohe të shkurtër është kthyer i armatosur.
Ai ka qëlluar në tavernë dhe besohet se aty ka vrarë katër persona. Pas kësaj, ai udhëtoi me makinën e tij në tre lokacione të ndryshme në Cetinje, vendbanimi Humce dhe në dy vende të tjera ku vrau ose plagosi disa njerëz, duke përfshirë dy fëmijë dhe disa anëtarë të familjes së tij të ngushtë.