Tri urat e vogla mbi përroin e “Zerzebilit” Gjirokastër, janë monumente kulture, Kategoria I dhe shumë interesante për t’u vizituar. DRTK Gjirokastër mori masat që urat të jenë të lira nga vegjetacioni për të mikpritur vizitorë vendas e të huaj.

Ura pranë shkëmbit është e ndërtuar me gurë gëlqerorë të rregullt të lidhur me llaç gëlqere, me një hark guri në mes, parapet me mur guri gëlqeror të lidhur me llaç gëlqere, e shtruar me kalldrëm me gurë të zinj dhe të bardhë, përkatësisht nga dy radhë dhe është relativisht në gjendje të mirë.

Ura në pjesën e sipërme ka një ndërhyrje të mëvonshme ku duket prania e një trau.

Ura në Dunavat është e transformuar tërësisht. Aty ka ndërhyrje me beton dhe ekzistojnë vetëm shpatullat e urës.

Ndërsa ura e mesit është e ndërtuar me gurë të zinj, me një hark guri në mes dhe përdoret nga kalimtarët dhe në ditët e sotme vjen mjaft e dëmtuar. Ura është e rënë në një gjatësi 2,5 m dhe gjerësi 2m.

Urat në qytetin e Gjirokastrës janë ndërtuar për të lidhur dy lagje të saj. Përrenjtë që përshkojnë qytetin kanë detyruar ndërtimin e një sërë urash të vogla, tre Urat e Vogla mbi Përroin e Dunavatit u ndërtuan nga Aqif Zerzebili, një person i kamur që donte të lidhte lagjet Manalat e Cfakë me pjesën tjetër të qytetit./atsh/ KultPlus.com