Donald Trump i bëri thirrje Gjykatës së Lartë të SHBA-së të pezullojë zbatimin e një ligji federal për TikTok që do të kishte çuar në ndalimin e rrjetit social popullor ose shitje të detyruara dhe tha se si president ai do të kërkonte një “zgjidhje politike” për këtë çështje.
TikTok dhe pronari i tij, ByteDance po luftojnë për ta mbajtur aplikacionin popullor të disponueshëm në SHBA pasi Kongresi amerikan votoi në muajin prill për ta ndaluar atë nëse kompania mëmë kineze nuk shet TikTok deri më 19 janar.
Ata kërkuan shfuqizimin e atij ligji dhe Gjykata e Lartë pranoi ta shqyrtonte çështjen.
Megjithatë, nëse gjykata nuk vendos në favor të ByteDance dhe shitja nuk bëhet, aplikacioni mund të ndalohet në SHBA më 19 janar, një ditë para se Trumpi të marrë detyrën e presidentit.
“Ky rast paraqet një tension të paprecedentë, të ri dhe kompleks midis të drejtës për fjalën e lirë, nga njëra anë, dhe shqetësimeve të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare, nga ana tjetër”, tha Trump.
Ky i fundit tregoi në fillim të kësaj jave se ai mbështet lejimin e TikTok të vazhdojë të operojë në SHBA të paktën për një kohë, duke vënë në dukje se ai kishte miliarda shikime në rrjetin social gjatë fushatës së tij presidenciale.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë pretendon se kontrolli i Kinës mbi TikTok përbën një kërcënim të përhershëm për sigurinë kombëtare.
TikTok pretendon se Departamenti i Drejtësisë keqinterpretoi lidhjet e rrjetit social me Kinën, duke argumentuar se algoritmi i rekomandimit të përmbajtjes dhe të dhënat e përdoruesve ruhen në SHBA në serverët cloud të operuar nga Oracle, ndërsa vendimet për moderimin e përmbajtjes që prekin përdoruesit amerikanë merren gjithashtu në SHBA.