Universiteti i Evropës Juglindore ka hapur dyert për promovimin e ofertës akademike për gjithë studentët e ardhshëm nga vendi por edhe shtetet fqinje. Aktiviteti i sotëm i ditëve të hapura, fillimisht nisi me prezantimin e fakulteteve nëpër stande, ndërsa më vonë, edhe me vizita brenda kampusit të UEJL-së. Për dallim nga vitet e shkuara, sivjet, prezantimi i ofertave bëhet direkt nga studentët, të cilët janë edhe dëshmia kryesore e cilësisë së këtij institucioni, deklaroi rektori i UEJL-së Abdylmenaf Bexheti.
“Sivjet kemi edhe fakultetin e shtatë të shkencave teknike pas atij të gjashtit të shkencave mjekësore. Gjithë këta do i ofrojmë me programet e caktuara studimore, ofertat e reja akademike dhe risitë, përfshi edhe aspektet gjuhësore. Mbetemi pra universiteti i përkushtuar tre gjuhësor, me dominim dhe strukturë të stabilizuar studentësh. Nëse referohemi pesë-gjashtë vite më pas, shohim një strukturë multietnike, me dominim 70 për qind e studentëve që studiojnë në gjuhën shqipe, 20 për qind e studentëve në gjuhën angleze dhe rreth 10 për qind në gjuhën maqedone. Kjo strukturë, përfshi edhe studentët ndërkombëtar, shkon me tendencë më shumë me ofertat në gjuhën angleze”, deklaroi Abdylmenaf Bexheti, rektor i UEJL-së. /Alsat.mk