Ferrari duket se ka rilindur këtë sezon, me dy fitore në 8 garat e para sezonale në Formula 1. Suksesi në pistën qytetas të Montekarlo nga Sharll Leklerk shihet si një motivim për “kokëkuqen”, që synon të bëjë një paraqitje të mirë edhe pas 10 ditësh në Kanada. Shefi i Ferrari, Frederik Vaseur, njeriu që ka vënë rregull te skuadra, beson se është një konkurencë e jashtëzakonshme këtë sezon.
“Në tre garat e fundit ne kemi qenë gjithmonë brenda një të dhjetës së sekondës nga rivalët. Është një kampionat emocionues, me gjashtë makina që mund të luftojnë për pozitat e para çdo herë, kështu që ne duhet të qëndrojmë të fokusuar në ngjarjet individuale që na presin”.
Vaseuar beson se Ferarri nuk duhet të ndalet dhe të vazhdojë të zhvillohet.
“Unë dua që ekipi të vazhdojë të përmirësohet në çdo drejtim. Edhe nëse po ecim mirë, ky është vetëm fillimi. Unë insistoj gjithmonë në të njëjtin mesazh. Të gjithë bëjnë një ndryshim në performancën e Ferrarit në pistë. Të gjithë janë përgjegjës për rezultatin si kur gjërat shkojnë keq ashtu edhe kur fitojmë”, tha Vasseur.
Shefi i Ferrarit e kupton edhe gëzimin e Leklerkut në Monako.
“Fitorja e Leklerkut ishte ei veçantë sepse Sharlls e kishte pritur për një kohë të gjatë dhe kishte humbur disa mundësi në të kaluarën. Fitorja në shtëpinë e tij do t’i japë atij më shumë besim te vetja dhe gjithashtu do të rrisë besimin e ekipit. Morali është i lartë e po shtyjmë në drejtimin e duhur”, tha drejtori i “kokëkuqes”.