Qindra studentë në universitetet amerikane janë arrestuar për protestat kundër luftës së Izraelit në Gazë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se demonstratat janë një shenjë dalluese e demokracisë amerikane, por kritikoi studentët për heshtjen e tyre ndaj Hamasit.
Ka kaluar më shumë se një javë që kur policia nisi të largojë studentët pro-palestinezë që protestonin në Universitetin “Columbia” në Nju Jork e që kishin ngritur tenda një një lëndinë të këtij kampusi. Por protestat janë zgjeruar edhe në universitete të tjera anembanë vendit.
“Ne jemi studentë me identitete e prejardhje të ndryshme e jemi mbledhur këtu për të qëndruar në anën e së drejtës dhe për të kundërshtuar gjenocidin”, thotë Malak Afaneh, studente e drejtësisë, në universitetin “Berkeley”.
Policia ka arrestuar qindra protestues në kampuse të ndryshme universitare. Zemërimi i studentëve lidhet me atë që ata thonë se është mbështetja që Uashingtoni po jep luftës në Gazë dhe lidhjet financiare dhe akademike të shkollave të tyre me Izraelin dhe me prodhuesit e armëve.
“Ne kemi një universitet që po investon në mënyrë aktive para në kompani që po ndihmojnë në nxitjen e luftës, për të vrarë njerëz të pafajshëm. Kjo është diçka që unë moralisht nuk mundem ta pranoj më”, thotë një studente me preardhje hebreje e Universiteti “Georgetown”, e cila nuk u identifikua për Zërin e Amerikës, për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë e saj. Në përgjithësi protestat janë paqësore, madje edhe kundërprotestat.
Por disa këngë janë quajtur antisemitike, si kjo që i referohet pretendimeve palestineze për të gjithë territorin, mes lumit Jordan dhe Detit Mesdhe.
“Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë”, këndonin disa studentë.
Protestat janë një shenjë dalluese e demokracisë amerikane, tha të premten Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili kritikoi studentët për disa nga qëndrimet e tyre.
“Është gjithashtu e dukshme që ata nuk po flasin për Hamasin. Sikur të mos ishte as pjesë e asaj që ndodhi. Por, siç e kam thënë në mënyrë të përsëritur, mënyra që zgjedh Izraeli për të siguruar që 7 tetori të mos ndodhë më, ka rëndësi”, tha ai.
Protestat kanë rritur tensionet mes SHBA-së dhe Izraelit, një aleat i ngushtë i saj. Duke u përballur me protestuesit në vendin e tij, në fillim të kësaj jave, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se demonstratat e studentëve amerikanë janë “të tmerrshme dhe duhet të ndalen”.
“Turmat antisemite kanë pushtuar universitetet kryesore. Ata bëjnë thirrje për asgjësimin e Izraelit. Ata sulmojnë studentët hebrenj. Ata sulmojnë fakultetet hebreje. Kjo të kujton atë që ndodhi në universitetet gjermane në vitet 1930”, tha ai.
Komentet e zotit Netanyahu bënë që Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson të thërrasë administratorët e universiteteve për të dëshmuar, duke i akuzuar ata se kanë lejuar kampuset të jenë një vatër antisemitizmi.
“Është koha që Garda Kombëtare të veprojë. Ne duhet të vendosim rregull në këto kampuse”, tha ai.
Shtëpia e Bardhë tha se vendimi për të thirrur Gardën Kombëtare për të larguar protestuesit i takon guvernatorëve të shteteve. Ndërkaq, numri i viktimave në Gazë po rritet dhe nuk ka asnjë shenjë se lufta mes Izraelit dhe Hamasit do të përfundojë së shpejti. /VOA