Qeveria në mbledhjen e sotme e miratoi tekstin e ri të harmonizuar të Propozim-ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat zbavitëse, i cili do t’i dërgohet Kuvendit për procedurë të mëtejshme.
Këtë e bëri të ditur zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi. Sipas saj, me këtë po fillojnë një fazë të re, më serioze dhe vendimtare në luftën kundër organizimit ilegal të lojërave të fatit, reklamimit agresiv dhe keqpërdorimeve që për vite me radhë kanë shkaktuar dëm ndaj qytetarëve, veçanërisht ndaj të rinjve, fëmijëve dhe familjeve.
“Fokusi i këtij ligji është i qartë. Mbrojtja e fëmijëve, brezave të rinj dhe familjeve. Për herë të parë vendosen kufizime të rrepta për reklamimin e lojërave të fatit. Ndalohet reklamimi jashtë hapësirave afariste nëse ai ka për qëllim nxitjen e qytetarëve për të marrë pjesë në lojëra të fatit. Ndalohet përdorimi i mesazheve që bixhozin e paraqesin si rrugë drejt suksesit financiar, jetës më të mirë apo si zgjidhje për problemet personale dhe sociale. Po ashtu, ndalohet reklamimi përmes personazheve publike dhe përmbajtjeve të orientuara drejt të miturve. Po dërgojmë një mesazh të qartë se bixhozi nuk guxon të normalizohet dhe as të paraqitet si stil jetese para të rinjve. Pika e dytë kyçe është mbrojtja e procesit arsimor dhe sigurisë së nxënësve. Me ligjin parashihet që të gjitha objektet ku organizohen lojëra të fatit, në kazinot, klubet e automatëve dhe lojërat elektronike të fatit, të jenë të vendosura së paku 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme. Në bastoret që ndodhen brenda një rrezeje prej 500 metrash nga shkollat nuk do të lejohet vendosja e terminaleve elektronike video-lotari dhe pajisjeve të tjera për lojëra elektronike të fatit.

