Deklaratë e Gazmend Aliu-t, nga koalicioni VLEN
Sot kemi dalë para jush për të folur për një problem serioz që për vite me radhë është fshehur pas statistikave dhe raporteve zyrtare, ndërsa në praktikë ka dëmtuar drejtpërdrejt të drejtën e shqiptarëve për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në institucionet e shtetit.
Për vite të tëra, qytetarëve u është thënë se mekanizmi i quajtur Balancues garanton përfaqësimin e drejtë etnik në administratë. Megjithatë, faktet që po dalin në sipërfaqe dëshmojnë se ky mekanizëm jo vetëm që nuk e ka zgjidhur problemin, por në shumë raste është keqpërdorur në dëm të vetë shqiptarëve.
Po japim një shembull konkret.
Në institucionin që unë drejtoj, sipas evidencave zyrtare rezulton se shqiptarët janë të përfaqësuar me 29 për qind. Mirëpo, pas verifikimeve të bëra, rezulton se vetëm 13 për qind e të punësuarve janë shqiptarë. Diferenca prej 16 për qind përbëhet nga persona që janë deklaruar si shqiptarë gjatë procedurave të punësimit, ndërsa në realitet i përkasin bashkësive të tjera etnike.
Ky nuk është përfaqësim i drejtë. Ky është keqpërdorim i një mekanizmi që është dashur të garantoj përfaqësim të drejtë dhe veçanërisht përfaqësim të shqiptarëve.
Rasti në fjalë dëshmon qartë se Balancuesi ka krijuar një pasqyrë të rreme për gjendjen reale në institucionet shtetërore. Për pasojë, përfaqësimi real i shqiptarëve ka qenë më i ulët se ai që është paraqitur në evidencat dhe statistikat zyrtare. Ajo që në dokumente është raportuar si përfaqësim i shqiptarëve, në shumë raste ka rezultuar të jetë produkt i deklarimeve të rreme etnike dhe i keqpërdorimeve të sistemit.
Prandaj, ne nuk do të pranojmë që sot të derdhen lot krokodili për një mekanizëm që është keqpërdorur pikërisht në dëm të shqiptarëve.
Ata që për vite me radhë e administruan këtë sistem dhe sot paraqiten si mbrojtës të të drejtave të shqiptarëve, duhet të japin përgjegjësi se si u lejua që përfaqësimi etnik të manipulohej dhe të krijohej një realitet fiktiv në letra, ndërsa gjendja faktike në institucione ishte krejtësisht tjetër.
Pikërisht për këtë arsye VLEN këmbëngul në miratimin e Ligjit për Përfaqësim Adekuat dhe të Drejtë.
Sepse vetëm një zgjidhje e bazuar në ligj, me mekanizma të qartë kontrolli dhe përgjegjësie, mund të garantojë që përfaqësimi të jetë real dhe jo fiktiv; i drejtë dhe jo i manipuluar.
Koha e statistikave të rreme ka përfunduar. Shqiptarët nuk kanë nevojë për përqindje të fryra në letra, por për përfaqësim real në institucione, në pozita vendimmarrëse dhe në çdo nivel të administratës shtetërore.
VLEN mbetet e përkushtuar që të ndërtojë një sistem ku përfaqësimi nuk do të varet nga deklarime të rreme dhe manipulime administrative, por nga rregulla të qarta ligjore që garantojnë barazi, drejtësi dhe dinjitet për të gjithë.

