Partitë opozitare shqiptare në një kumtesë për media thonë se kandidati për president Bujar Osmani, njëherit edhe ministër i jashtë, “do të largohet me turp pasi udhëheqja diplomacisë së vendit nga ana e tij, do të mbahet mend për dështime”.

Nga VLEN thonë se Osmani vizitën e parë si ministër i Jashtëm e realizoi në Beograd, e jo në Tiranë.

“Për vite me radhë gënjeu qytetarët në emër të integrimeve evropiane kur në fakt e dinte mirë se nuk do të arrijë t’i sigurojë numrat e nevojshëm për ndryshimet kushtetuese. Dështoi t’i hapë negociatat për anëtarësim në BE si ministër i jashtëm, ndërsa vazhdon pa pikë turpi të kërkojë vota për president për ta bllokuar sërish rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së”.

“Vizitën e parë si ministër për punë të jashtme e realizoi në Beograd, jo në Tiranë apo Prishtinë e as në Uashington apo Bruksel. Kjo është simbolikë që tregon për rëndësinë që ai u dha raporteve me shtetet tona me të cilat na bashkon kombi ynë i përbashkët, na bashkon shqiptaria”.

“Nuk pati asnjë vizitë bilaterale në Prishtinë, po atje ishtevetëm si kryesues i OSBE-së apo në kuadër të ndonjë vizite partiake. Si ministër i jashtëm, mbi të gjitha si shqiptar, në një situatë normale do duhej të ishte zë shtesë në arenën ndërkombëtare për avokimin e çështjeve të shteteve shqiptare. Përjashtues ndaj delegacioneve shqiptare në organizimet në arenën ndërkombëtare. Sillej në mënyrë zyrtare sikur mos të ishte shqiptar e sikur mos të njihte delegacionet që përfaqësonin Kosovën. Inatet partiake nuk harronte t’i shfaqte edhe duke shfrytëzuar petkun e pozicionit në arenën ndërkombëtare, ku u bë ministri i vetëm i NATO-s që shtrëngoi duart me Lavrovin”.

“Nuk e dënoi sulmin terrorist serb në Banjskë të Kosovës edhe përkundër dëshmive për përfshirje direkte të shtetit serb. Atë e dënuan i gjithë spektri ndërkombëtar. E Bujar Osmani as nën petkun e ministrit e as të një shqiptari nuk e bëri këtë gjë. Plani i tij 9 pikësh për zgjidhjen e krizës në Veriun e Mitrovicës në Kosovë, ishte krejtësisht në favor të Serbisë e të kriminelëve të saj dhe në kundërshtim të plotë me situatën në terren”.

“Nuk u tërhoq nga Ballkani i Hapur, si projekt i Vuçiçit, i përkrahur nga Lavrovi dhe që përjashton Kosovën. Argumentet i dinin, por verbërisht vepruan vetëm që të jenë kundër Kosovës. E tash në fushatë me shumë hipokrizi deklarojnë se do të dalin nga Ballkan i Hapur, që është frazë fushate gjithsesi. Nuk dilet nga Open Ballkan me iniciatorët për hyrjen në të”.

“Iu refuzuan tre propozime për ambasadorë nga miqtë strategjik të vendit : Fërçkovski nga SHBA, Arifi nga SHBA dhe BE, si dhe Dimovski nga Franca, që të gjithë non grata për shkak të lidhjeve serbe dhe ruse. E politizoi skajshmërisht diplomacinë e vendit dhe e mbushi përplot me politikanë të dështuar dhe zyrtarë të pushtetit dhe pa përvojë diplomatike, që sollën skandale dhe dështime të njëpasnjëshme”.

“La shumë pozita ambasadorësh vakante në vendet kryesore partnere në momentet më kritike për vendin.Kur Maqedonia e Veriut u bë anëtare e plotë e NATO-s, shteti as nuk kishte ambasadorë në misionin e NATO asnë Uashington dhe u desh që protokollin e anëtarësimit t’a dorëzojë një ushtrues detyre”.

“Programin për përkrahje të shoqatave nga diaspora e bëri program etno nacionalist maqedon nga i cili nuk përfitoi asnjë shoqatë shqiptare nga diaspora por përfituan thuajse vetëm shoqatat maqedone në Shqipëri, Serbi e Kosovë. Nisi projektin M-Karta për persona eminentë nga diaspora nga i cili përfituan kryesisht mërgimtarët maqedonas ndërkohë që 70% e diasporës tonë janë shqiptarë. Nuk e hapi kufirin në Llojan as nuk e bëri kontrollin e përbashkët kufitar në Bllacë, sado që u premtuan shumë herë dhe u paralajmëruan me pompozitet”, thonë nga VLEN.