Koalicioni VLEN ka deklaruar se ekonomia e Maqedonisë së Veriut po shënon përmirësim, duke iu referuar parashikimeve të reja të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore, të cilat kanë rritur vlerësimet për rritjen ekonomike të vendit gjatë këtij viti, përcjell tetova1
Sipas VLEN-it, FMN-ja e ka rritur parashikimin për rritjen ekonomike nga 3,1 në 3,5 për qind, ndërsa Banka Botërore nga 2,9 në 3,2 për qind.
VLEN thekson se investimet në infrastrukturë janë ndër faktorët kryesorë që mund të ndikojnë në zhvillimin ekonomik. Në këtë drejtim, koalicioni përmend autostradën Shkup–Bllacë dhe projektet në kuadër të Korridorit 8, përfshirë segmentet Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçan dhe Kërçovë–Ohër, si dhe autostradën Bukojçan–Kërçovë, për të cilën thotë se gurthemeli u vendos më 12 tetor.
Sipas VLEN-it, përfundimi i këtyre projekteve do të përmirësojë lidhjet me Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin, do të lehtësojë transportin e mallrave dhe do të krijojë kushte më të mira për bizneset, zgjerimin e prodhimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Në komunikatë, koalicioni i referohet edhe të dhënave për inflacionin, duke krahasuar nivelin prej 4,5 për qind në maj të vitit 2024 me 2,7 për qind në shtator të këtij viti. Gjithashtu, VLEN pohon se çmimet e benzinës dhe dizelit në vend janë ndër më të ulëtat në rajon.
Sa i përket benzinës 95, sipas shifrave të paraqitura nga VLEN, çmimi në vend është 98,5 denarë për litër, ndërsa mesatarja në vendet e krahasuara arrin rreth 115 denarë.
Në fund, VLEN thekson se përkrahja e bizneseve vendore, krijimi i vendeve të punës dhe përmirësimi i kushteve ekonomike për qytetarët mbeten ndër prioritetet e saj në qeverisje.
Komunikata e plotë e VLEN-it:
”Ekonomia po ecën mbarë. Këtë nuk e themi ne, por e thonë dy nga institucionet më të rëndësishme financiare ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Që të dyja këto institucione e kanë rritur parashikimin për rritjen ekonomike të vendit për këtë vit. FMN-ja nga 3,1 në 3,5 për qind, ndërsa Banka Botërore nga 2,9 në 3,2 për qind.
Shkurt e shqip, të dyja këto institucione presin që ekonomia jonë të ecë më mirë sesa parashikonin më parë. Këto vlerësime na japin edhe më shumë shtytje për të punuar. Sidomos në ekonomi, ku kemi marrë përgjegjësinë për ta udhëhequr këtë dikaster.
Banka Botërore i veçon investimet në infrastrukturë si një nga shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike.
Sot kemi ekspansion infrastrukturor në vend.
Autostrada Shkup–Bllacë është pritur me dekada. Përfundimi i saj tashmë nuk vihet në diskutim. Si VLEN, kësaj pune do t’i vëmë PIKË. Kjo lidhje me Kosovën ka rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarët, tregtinë dhe kompanitë tona.
Në Koridorin 8, që për ne është projekt strategjik, kemi segmentet Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçan dhe Kërçovë–Ohër. Më 12 tetor vumë gurthemelin edhe për Bukojçan–Kërçovën.
Autostrada Bukojçan–Kërçova plotëson hallkën e rëndësishme të lidhjes së Pollogut me Kërçovën dhe Ohrin, në korridorin që na lidh me Shqipërinë dhe portet e Adriatikut.
Këto projekte duhen parë bashkë. Ato forcojnë lidhjet me rajonin dhe hapin mundësi të reja për ekonominë tonë.
Për një biznes, çdo orë e humbur në rrugë është shpenzim. Transporti më i shpejtë ul kostot, lehtëson furnizimin dhe daljen në tregje të reja. Kjo krijon kushte që kompanitë të zgjerojnë prodhimin dhe të hapin vende pune.
Prandaj përfundimi i këtyre rrugëve mbetet një nga angazhimet tona kryesore në qeveri.
Krahas investimeve, rëndësi për qytetarin kanë edhe shpenzimet e përditshme. Edhe këtu kemi një dallim shumë të qartë.
Në maj të vitit 2024, me qeverisjen e kaluar, inflacioni ishte 4,5 për qind. Në shtator të këtij viti, me ne në qeveri ishte 2,7 për qind. Pra, dallimi është si dita me natën.
Kur jemi te karburantet, jemi ndër vendet me çmimet më të ulëta në rajon. Benzina dhe dizeli te ne janë më të lirë se në Kroaci, Slloveni, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë, Shqipëri dhe Greqi.
Vetëm për krahasim, benzina 95 te ne kushton 98,5 denarë për litër, ndërsa mesatarja në këto vende është rreth 115 denarë. Pra, një dallim prej rreth 16 denarësh për çdo litër. Kjo ua ul shpenzimet qytetarëve, bujqve dhe bizneseve.
E dimë se shumë familje ende përballen me vështirësi. Prandaj përkrahja për bizneset vendore dhe hapja e vendeve të punës janë kryefjala jonë. Qeverisja VLEN është në shërbim të njerëzve që jetojnë nga puna e tyre. Atyre ua kemi borxh angazhimin dhe rezultatet.
Kjo është rruga që kemi zgjedhur. Punë dhe vetëm punë”, përfundojnë nga VLEN./tetova1.mk

