8 C
Tetovo
E premte, 23 Tetor, 2026
BallinaLajmeMaqedoniVLEN: Një javë VLEN, shtatë punë që vlejnë!

VLEN: Një javë VLEN, shtatë punë që vlejnë!

VLEN ka prezantuar rezultatet e javës së qeverisjes, duke veçuar vendimet për ushtarët profesionistë, investimet në shëndetësi, mbrojtjen nga përmbytjet në Saraj, mbështetjen për fermerët dhe avancimin e arsimit e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në komunikatën e publikuar, koalicioni qeverisës VLEN thekson se gjatë javës janë ndërmarrë disa hapa që, sipas tij, synojnë përmirësimin e shërbimeve publike dhe zgjidhjen e çështjeve të lëna pezull.

Në fushën e mbrojtjes, Qeveria ka miratuar mundësinë që ushtarët profesionistë, pas mbushjes së moshës 45-vjeçare, të vazhdojnë punën në Armatë si personel civil deri në pensionim.

Në shëndetësi, janë paraparë 100 autoambulanca të reja, përmes një investimi prej 460 milionë denarësh. Automjetet do të pajisen me pajisje moderne për ndërhyrje dhe trajtimin e pacientëve gjatë transportit.

Një tjetër investim i përmendur nga VLEN-i është ai për mbrojtjen nga përmbytjet në Komunën e Sarajit. Sipas komunikatës, janë siguruar mbi 379 milionë denarë për rregullimin e rreth 12 kilometrave të shtratit të Lumit të Thatë. Koalicioni bën të ditur se, për më pak se tre muaj, janë realizuar 20 për qind e punimeve, me qëllim mbrojtjen e shtëpive, pronave dhe tokave bujqësore të banorëve.

Në arsim dhe kulturë, VLEN-i veçon vendimin e Qeverisë për t’i dhënë bibliotekës “Koço Racin” në Tetovë status universitar. Vendimi është miratuar me propozim të ministrit Sedat Sulejmani dhe synon zgjerimin e rolit të bibliotekës në shërbim të studentëve, profesorëve dhe hulumtuesve.

Në sektorin e bujqësisë, sipas komunikatës, janë paguar rreth 149,5 milionë denarë për 1.934 kultivues të mollëve, për prodhimin e dorëzuar. VLEN-i thekson se mbështetja për fermerët dhe shlyerja e detyrimeve ndaj tyre mbeten pjesë e angazhimit të koalicionit, duke përmendur edhe rolin e zëvendësministrit të Bujqësisë, Albrim Hoxha.

Komunikata përfshin edhe çështjen e shkollave në vendbanimet shqiptare të Krushevës. Zëvendësministri Driton Sulejmani ka vizituar Norovën, Aldancën dhe Vërbovecin. Në Norovë, procedurat e urbanizimit janë drejt përfundimit, çka pritet të mundësojë vazhdimin e punimeve për ndërtimin e shkollës së re.

Si një tjetër çështje me rëndësi për shqiptarët, VLEN-i përmend edhe zgjidhjen e çështjes së jurisprudencës në gjuhën shqipe, e cila, sipas koalicionit, ka mbetur e pazgjidhur për 35 vjet. Në komunikatë thuhet se, me propozimin e ministrit Jeton Shasivari, kjo çështje tashmë po merr rrugën e zgjidhjes.

VLEN-i e përmbyll komunikatën me mesazhin se këto aktivitete janë pjesë e angazhimit të tij në qeverisje, duke përdorur sloganin: “VLEN-i n’punë!”/ZYRTARE.net/

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments