Koalicioni VLEN që është pjesë e Qeverisë së RMV-së, në një kumtesë për media zotohet se rruga Tetovë – Prizren do të bëhet realitet. Prej atje thonë se punimet për këtë projekt vazhdojnë.

“Në këtë drejtim për të parë punimet në vendngjarje ishte zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, së bashku me ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, drejtorin e NP për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski, dhe zëvendësdrejtorin Nazim Taipi, kjo vizitë u zhvillua në qytetin e Prizrenit. Pra, për të inspektuar punimet e rrugës së re Tetovë-Prizren për të cilën rrugë jemi zotuar. Në këtë vizitë, delegacioni i vendit tonë u shoqërua nga ministri i Infrastrukturës së Republikës së Kosovës, Liburn Aliu”.

“Qeveria VLEN e nis vitin 2025 me hapa konkretë në ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, një prej projekteve me prioritet më të lartë. Rruga e re Tetovë-Prizren do të lidhë dy nga qytetet kryesore të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duke forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Me një tunel prej 6.4 km, ky projekt do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit”, thonë nga VLEN.

Gjithashtu shtojnë se përveç përmirësimit të lidhjeve transportuese, rruga Tetovë-Prizren do të ofrojë mundësi të reja për zhvillimin e turizmit dhe biznesit në të dy vendet.