Koalicioni VLEN sot përmes një konference për shtyp pranë Spitalit të Gjinekologjisë në Çair kujtuan hetimin tashmë të mbyllur të ish PSP-së, të njohur si rasti “Pacienti”, ku i dyshuar ishte Bujar Osmani.
“Pikërisht kandidati i sotëm për president ka qenë i akuzuar për keqpërdorime financiare dhe në këtë objekt, i cili është i shenjtë për ne dhe që çdo ditë lindin bijat tona, motrat tona, shoqet tona. Publikisht pyesim a meritojnë shqiptarët një kandidat të këtillë për president, pyesim publikisht, nëse nuk e kanë hallin e qytetarëve, a mendojnë këta politikanë se ky spital mund të shfrytëzohet nga të afërmit e tyre. Qytetarët nuk harrojnë asnjëherë Bujar Osmanin-pacientin. Ndoshta gjykata e partizuar nga Artan Grubi e kanë futur në ndonjë qosh këtë lëndë, por koha është për përgjegjësi”, tha Fitore Qirezi nga VLEN.
Ndaj akuzave të VLEN ka reaguar kandidati për president, Bujar Osmani i cili tha se ky ka qenë një rast i prokurores Katica Janeva, e cila tashmë është në burg dhe që është në listën e zezë amerikane.
Osmani thotë se për rastin në fjalë nuk kishte as aktakuzë, ndërsa tha se u hap si temë me kërkesë nga Rusia për diskreditimin e tij.