Derisa po numërohen ditët e fundit për vendosjen në funksion të Qeveris teknike, VMRO-DPMNE mbajti Komitetin Ekzekutiv dhe Qëndror të partis dhe vendosën të marrin pjesë në Qeverinë teknike, por jo edhe ta votojnë atë. Duke shpalosur konkluzat, nënkryetari i VMRO-s Timço Mucunski, përsëriti qëndrimin e partisë që nuk e mbështesin Talat Xhaferin për kryeministër teknik dhe u shpreh se nuk kanë biseduar për çështje kadrovike.

Timço Mucunski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së

“Në seancë, çështja e parë që u hap ishte a do të marrim pjesë në Qeveri teknike dhe njëzëri u vendos që VMRO-DPMNE të marrë pjesë në Qeverinë teknike sepse kjo është Qeveri që i dedikohet sigurimit të procesit zgjedhor fer dhe kredibil. Nuk është diskutuar për çështje kadrovike, prandaj e autorizuam kryetarin e partisë për të zgjedhur kadrot më të mira që i ka VMRO-DPMNE”.

Komiteti Ekzekutiv i partis ka vendosur për nisje të një iniciative deri tek Gjykata Kushtetuese e cila lidhet me ligjet që kanë të bëjnë me ndryshimin e dokumenteve personale. Partia, mes tjerash, i zgjodhi 472 delegatët për konventën për zgjedhje të kandidatëve për president të shtetit.

Përndryshe, Qeveria teknike duhet të votohet më 28 janar. Deri atëherë kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi duhet të dorëhiqen nga postet e tyre. Ditëve në vazhdim, Hristijan Mickoski duhet të publikoj emrat e dy ministrave dhe 3 zëvendës ministrave, që kjo parti do të ketë gjatë Qeverisë teknike, gjegjësisht në Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Punës dhe Poltiikës Sociale, zëvendës ministrat në Financa, Shoqëria Informatike dhe Administrata Publike si dhe në Bujqësi.