Sot fillojnë bisedimet ndërmjet përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së, të udhëhequr nga lideri dhe mandatar i ardhshëm Hristijan Mickoski, dhe koalicionit opozitar shqiptar VLEN-it për formimin e shumicës së re parlamentare.
Ky informacion është konfirmuar zyrtarisht nga përfaqësues të partive, të cilët theksojnë se fillimisht do të diskutohet vetëm për parimet e koalicionit, jo për ndarjen e dikastereve dhe funksioneve, përcjell INA.
Mirëpo, njëri nga liderët e VLEN-it, Arben Taravari, tashmë ka deklaruar se do ta kërkojnë karrigen e kryeparlamentarit në Kuvend, të cilin më herët e mbante BDI.
Përveç kësaj, askush nuk flet publikisht për resoret ministrore, por disa informacione jozyrtare thonë se opozita shqiptare ka në shënjestër disa ministri. Megjithatë nga VLEN theksojnë se të gjitha dikasteret ministrore do të jenë temë diskutimi, por sigurisht se kemi targetin tonë.
Ndryshe, shpërndarja përfundimtare e kulaçit qeveritar do të varet edhe nga fakti nëse ZNAM do të jetë partneri i tretë i qeverisë, sepse në një situatë të tillë do të marrë një ose dy portofole ministrore.
Paralelisht me negociatat me VLEN-in dhe më pas me ZNAM-in, siç tha Mickoski, VMRO-DPMNE do të përpiqet të arrijë 61 deputetë me ndihmën e deputetëve të tjerë të cilët pas zgjedhjeve kanë sinjalizuar se duan t’u bashkohen.
Për momentin nuk konfirmohet se për cilët deputetë bëhet fjalë, përkatësisht nëse janë pjesë e partnerëve “më të vegjël” të koalicionit të LSDM-së, apo pjesë e partnerëve të koalicionit me të cilët BDI-ja ka dalë në një listë parazgjedhore.(INA)