Eksperti i sigurisë Drizan Shala tha në një intervistë për Euronews Albania se vrasjen e Liridona Murselit mund të ketë edhe persona të tjerë familjarë të përfshirë.

Ai tha se hetimet do të zgjerohen lidhur me këtë ngjarje ku deri më tani janë arrestuar tre persona, Naim Murseli si porositës i krimit, Granit Plava, në rolin e ekzekutorit, dhe nipi i organizatorit Kushtrim Kokalla.

“Kosova nuk ka marrëveshje të ekstradimit me shtetin e Suedisë. Kjo mund të jetë edhe arsyeja pse familjarët e organizatorit të kësaj vrasje kanë ikur në Suedi, ndoshta edhe për t’i ikur ndoshta ndjekjes panale nga organet e drejtësisë së republikës së Kosovës, pasi sipas të gjitha ngjarjeve ajo që është diskutuar dhe është marrë vesh nga burime zyrtare, pista e hetimeve do të zgjerohet më tutje, sepse elementet janë të tillësaqë mund të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë.

Pra mund të jenë përfshirë edhe familjarë të tjerë të organizatorit të vrasjes. Por kjo do shikohet nga ekipi hetimor që po mbledh të gjitha provat dhe faktet. Ndërsa pritet të shikohet se si do shkojë seanca gjyqësore pasi jo rrallë në krime të tilla, organizatori nuk e ka marrë dënimin”, tha Drizan Shala.