Afati për dorëzimin e ankesave në Komisionin Shtetëror Zgjedhor lidhur me zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 8 majit mbaron pak para mesnatës.
Deri më tani, sipas KSHZ-së, ende askush nuk ka dorëzuar ankesë për procesin zgjedhor. Sipas procedurës, për ankesat e dorëzuara, KSHZ është e detyruar të marrë vendim në afat prej 72 orëve, ndërkaq të pakënaqurit me vendimin e KSHZ-së për ankesën, mund të drejtohen në Gjykatën Administrative, e cila duhet të vendosë në 48 orët e radhës.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski njoftoi se seanca parlamentare për inaugurimin e presidentes së re të vendit, Gordana Siljanovska Davkova, do të mbahet të dielën në mesditë.
Sipas Rregullores së Kuvendit, deri më 28 maj duhet të mbahet seanca konstituive e përbërjes së re parlamentare, e cila duhet të zgjatë më së shumti tre ditë dhe duhet ta thërrasë kryetari aktual i Kuvendit. 10 ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidenti i shtetit është i obliguar që ta japë mandatin për formimin e Qeverisë.
Mandatari, në afat prej 20 ditësh duhet të dorëzojë në Kuvend program dhe propozim të përbërjes së Qeverisë, që më pas të bëhet votimi në Kuvend me 61 vota. Në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE mori 58 mandate, Fronti Evropian 19 mandate, Koalicioni i LSDM-së 18, koalicioni VLEN, 13, ndërkaq “E Majta” dhe Lëvizja “ZNAM” nga 6 deputetë.
Misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR një ditë më parë vlerësoi se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe demokratike, por numëroi disa parregullsi të vogla nëpër disa vendvotime.