Aleanca për Shqiptarët duhet të vendosë përfundimisht gjatë javës së ardhshme se si do të pozicionohet në zgjedhjet e majit. Këtë e paralajmëroi kreu i partisë Arben Taravari i cili tha se ai do të respektojë vendimin e organeve të partisë, cilido që të jetë ai.
“Kemi një vendim në kryesi të partisë i cili është aktual por Kuvendi mund të sjell një vendim tjetër që së bashku duhet ta sjellim. Kurse për kryesinë kemi thënë dhe nuk e kemi fshehur. S’ka pasur anëtar të ASH-së që s’ka thënë se kemi një vendim prej para 3-4 muajsh ku kemi thënë se në zgjedhje shkojmë vetë. Por do t’i shohim rrethanat, i dëgjojmë edhe rekomandimet dhe në fund në Kuvend sillet vendimi definitiv, mund të jetë i njëjti por mund të jetë edhe i ndryshëm. Unë e respektoj vendimi e organeve partiake kështu që sido që të vendosë Kuvendi, ashtu do të veproj”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i ASH-së.
Por, ish kreu i Aleancës për Shqiptarët dhe kryetar aktual i Kuvendit Qendror, Ziadin Sela, tha se ai nuk merr guximin të flasë për që do të diskutohet dhe do të vendoset në Kuvend. Sela tha se Kuvendi diskuton për temat që i propozon kryetari i partisë pa potencuar nëse ASH-ja do të vendosë ose jo gjatë atij takimi se si do të garojë në zgjedhje. Ai vetë është i mendimin që duhet të garojnë të vetëm.
“Kur afrohen zgjedhjet e ka patjetër që Kuvendi qendror të thirret. Ne kemi pasur edhe mbledhje të kryesisë qendrore ku kemi diskutuar në lidhje me këtë temë dhe për momentin që flasim ne kemi vetëm një vendim që është vendimi i kryesisë qendrore që Aleanca për Shqiptarët të shkojë e vetme në zgjedhje. Dhe në këtë debat mund të them që diku 90% e pjesëmarrësve, anëtarëve të kryesisë qendrore kanë qenë dakord me këtë vendim të cilin bashkërisht ne e sollëm”, tha Ziadin Sela, kryetar i Kuvendit Qendror të ASH-së.
A e ndan këtë mendim edhe Arben Taravari, kryetari i partisë?
“Natyrisht, ai e udhëhiqte mbledhjen e kryesisë qendrore”, u përgjigj Sela.
Zërat flasin jozyrtarisht për një qëndrim të ndarë brenda kësaj partie, nëse do të pozicionohen me partitë e bllokut opozitar shqiptar, do të garojnë bashkë me të ashtuquajturin front evropian ose do të garojë e vetme. /Alsat.mk