Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar të Shqipërisë (SPAK) më 27 korrik, ka çuar në arrestimin e drejtuesit të Prokurorisë së Kukësit, ish-kreut të Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit, një biznesmeni të njohur dhe disa pjesëtarëve të grupeve kriminale.

SPAK-u kishte lëshuar 15 urdhërarreste në këtë rast, prej të cilave u ekzekutuan vetëm gjashtë gjatë operacionit të enjten.

Të arrestuar janë Xhevahir Lita, prokuror në qarkun e Kukësit, Oltion Bistri, ish-shef i Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit, Ardit Hasanbega, ish-shef i Zyrës kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shkodrës, i cili u shkarkua nga policia një vit më parë, ndërsa ishte me detyrë në Berat.

U arrestua edhe biznesmeni i njohur në Shqipëri, Pëllumb Gjoka, i cili është denoncuar nga opozita për lidhjet e tij me qeverinë dhe përfitim të pasurive publike.