Pasi drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Kërçovës Stanko Trpeski refuzonte të përgjigjet në pyetjet gazetareske të Portalb.mk, ai ua ka ndaluar edhe të punësuarve të flasin me mediat për punën e spitalit. Madje, në qoftë se nuk i përmbahen këtij paralajmërimi ndaj tyre do të merren masa disiplinore, raporton Portalb.mk.
Drejtori i spitalit të përgjithshëm të Kërçovës, Stanko Trpeski në një lajmërim që është publikuar nga TV Telma, më 6 nëntor të këtij viti i ka njoftuar të gjithë të punësuarit në spital se ndalohet të flitet për punën e spitalit me mediume jashtë apo brenda orarit dhe nëse ata nuk i përmbahen këtij paralajmërimi atëherë për ata do të ketë masa disiplinore.
“Informohen të gjithë të punësuarit në Spitalin e Përgjithshëm – Kërçovë se ndalohet çdo lloj deklarimi dhe komunikimi me mediumet në lidhje me pjesën e punës së spitalit, brenda apo jashtë orarit të punës. Të gjithë punonjësit janë të informuar t’i përmbahen ndalesës, përndryshe nëse kontaktojnë me medium do t’u jepet procedim disiplinor për tu caktuar masa disiplinore” thuhet në njoftimin e drejtorit Trpeski.
Përndryshe, kjo ndalesë koincidon me publikimin e Portalb.mk për Spitalin e Përgjithshëm të Kërçovës, gjegjësisht se këtë javë pritet të ndërpritet kontrata me firmën e ndërtimit e cila është përgjegjëse për përfundimin e ndërtimit të spitalit të ri të Kërçovës.
Portalb.mk përpara publikimit të lajmit në fjalë, e kontaktoi drejtorin Trpeski por ai refuzoi të përgjigjet në pyetjet tona dhe tani ua ka ndaluar punonjësve të deklarohen për mediat.
Rikujtojmë se spitali i “ri” i Kërçovës është objekt i cili po ndërtohet që nga vitet 1985/1990 dhe që assesi të përfundohet dhe të vendoset në funksion. Finalizimi i ndërtimeve premtohet nga autoritetet pothuajse 37 vite. Objekti është shndërruar në lokacion që vizitohet nga çdo ministër i ri i shëndetësisë si një pikë turistike, mirëpo me vitet mbetet i pandërtuar.