A do të fillojnë nga e hëna partitë të merren vesh për datën e zgjedhjeve? Pritjet e LSDM-së janë që koordinatorët e grupeve parlamentare së shpejti do të iniciojnë formimin e një grupi punues, i cili me konsensus do ta caktojë datën e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare, shkruan Alsat.
“Në pjesën e grupeve punuese pres koordinim gjatë javës së ardhshme, me të gjithë koordinatorët e partive politike, të përfaqësuara në Kuvend, për ta hapur këtë çështje dhe natyrisht ne si parti politike jemi të gatshëm dhe do të propozojmë anëtar për të caktuar datën e saktë për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe të zgjedhjeve të rregullta parlamentare”, u shpreh Darko Kaevski- zëdhënës i LSDM-së.
Përderisa në LSDM ka optimizëm se përmes grupit punues do të arrihet marrëveshje për datën e zgjedhjeve, nga VMRO-DPMNE u përgjigjën se nuk ka lëvizje për këtë çështje. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, tashmë gjatë kohë nuk merr pjesë në koordinimin e thirrur nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, përkatësisht pasi partia opozitare nisi të ashtuquajturën “bllokadë aktive të Kuvendit”.
VMRO-DPMNE-ja sot nuk është përgjigjur konkretisht në pyetjen se a do të bëhet përjashtim tani dhe Micevski do të marrë pjesë në koordinimin ku do të diskutohen detajet e formimit të grupit punues për zgjedhjet. Ndërkohë, afati i caktuar nga Xhaferi që palët të merren vesh për datën po mbaron. Kanë mbetur edhe një muaj e gjysmë që palët të arrijnë marrëveshje, në të kundërt kryeparlamentari do të vendosë vetë pas Vitit të Ri se kur do t’i shpallë zgjedhjet. Nga LSDM-ja vlerësojnë se deri atëherë ka mjaft kohë.
“Ka kohë të mjaftueshme deri në Vitin e Ri, kur fillimisht mund të formohen grupet punuese, pastaj me punë të përcaktohen datat e sakta për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe të rregullta parlamentare, që besoj se do të ndodhë deri në fund të këtij viti, respektivisht deri në Vitin e Ri do të kemi datë konkrete, e cila do të miratohet me konsensus, pres konsensus nga të gjitha partitë politike”, tha Darko Kaevski – zëdhënës i LSDM-së.
Opozita këmbëngul që raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale të mbahet në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare. Megjithatë, përllogaritjet partiake në këtë drejtim varen kryesisht nga datat në të cilat do të festohen festat fetare të Ramazan Bajramit dhe Pashkëve./ Alsat.mk