Kamioni i parë me naftë ka hyrë në Rripin e Gazës të mërkurën, për herë të parë prej kur Izraeli ka vënë bllokadë në këtë enklavë për shkak të luftës me Hamasin, kanë thënë dy burime egjiptiane të sigurisë.

Grupi palestinez, Hamas, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Dërgesa është mundësuar pasi Izraeli ka miratuar dërgimin e 24.000 litrave naftë në Gaza për t’u përdorur nga kamionët e Kombeve të Bashkuara për shpërndarje të ndihmës, mirëpo jo për përdorim në spitale, sipas burimeve humanitare.

Ndihma në sasi të kufizuara kanë hyrë nga Egjipti në Gaza prej 21 tetorit, mirëpo Izraeli ka refuzuar që të lejojë hyrjen e naftës në këtë territor, duke thënë se Hamasi ka rezerva të mjaftueshme. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar ditëve të fundit se shumë shpejt do t’i ndalin operacionet e ndihmës, për shkak të mungesës së naftës.