Parlamenti i Danimarkës miratoi ditën e sotme një ligj që e bën të paligjshme djegien e Kuranit në vende publike. Kjo bëhet me qëllim uljen e tensioneve me vendet myslimane pas një sërë protestash daneze gjatë të cilave u dogj libri i shenjtë i Islamit, duke shkaktuar zemërim.
Danimarka dhe Suedia përjetuan një seri protestash publike këtë vit ku aktivistët anti-islamik dogjën ose dëmtuan kopje të Kuranit, duke nxitur kërkesat që qeveritë nordike të ndalojnë këtë praktikë. Sipas Ministrit të Drejtësisë Peter Hummelgaard, më shumë se 500 demonstrata që përfshinin djegie të Kuranit ose flamujve janë regjistruar që nga korriku.
“Demonstrata të tilla mund të dëmtojnë marrëdhëniet e Danimarkës me kombet e tjera, interesat tona dhe në fund të fundit sigurinë tonë,” tha Hummelgaard.
Danimarka ka kërkuar të vendosë një ekuilibër midis lirisë së fjalës të mbrojtur me kushtetutë, duke përfshirë të drejtën për të kritikuar fenë, dhe sigurisë kombëtare mes frikës se djegia e Kuranit do të shkaktonte sulme nga islamistët.