Qindra mijëra qytetarë në Britani zhvilluan “marshimin kombëtar” për herë të 8-të me thirrjen për “ndalimin e gjenocidit” në Gazën nën sulmet izraelite dhe kërkuan armëpushim urgjent në Gaza.
Protestuesit të cilët u mblodhën para transmetuesit britanik BBC në Londër, marshuan në bulevardin “Whitehall” në të cilin ndodhet kryeministria dhe disa ministri dhe akuzuan qeverinë britanike për “bashkëfajtore në gjenocidin e Izraelit në Gaza” dhe i bënë thirrje qeverisë që t’i japë fund këtij partneriteti.
Me pankarta në duar me mbishkrimet “Palestina e Lirë”, “Jepini fund bombardimeve në Gaza”, “Armëpushim tani” dhe “Netanyahu vrasës”, protestuesit pro-Palestinës kërkuan “ndalimin e gjenocidit” në Gaza e cila ndodhet nën sulmet e Izraelit.
Në një deklaratë nga Fushata e Solidaritetit të Palestinës (PSC) e cila organizoi marshimin thuhet se përgjigjja që qeveria britanike ka dhënë ndaj vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) është “kategorikisht e turpshme” dhe se përgjigjja në fjalë përpiqet të nënvlerësojë rëndësinë dhe urgjencën e vendimit të gjykatës.
Pasi nënvizohet se pezullimi i eksportit të armëve nga Britania ndaj Izraelit duhet të jetë “reagim urgjent”, më tej në deklaratë thuhet:
“Qeveria britanike në vend të kësaj i është bashkuar vendeve të tjera në pezullimin e financimeve ndaj UNRWA-së e cila luan rol jetik në sigurimin e shërbimeve bazë për refugjatët palestinezë në Gaza dhe vende të tjera të rajonit. Kjo është pandërgjegjshmëri në kontekstin e një gjenocidi”.
– “Kemi për detyrë të tregojmë se bota është në anën e popullit të Gazës”
Hannah e cila mori pjesë në protestë, në një prononcim për gazetarin e AA-së tha se “Arsyeja që ndodhemi këtu, është të përfaqësojmë popullin palestinez. Ne mendojmë se kemi për detyrë të tregojmë se bota është në anën e tyre edhe pse qeveria britanike nuk është në anën e tyre”.
Duke vënë theksin se në marshim kanë marrë pjesë njerëz nga çdo moshë në mbështetje të Palestinës, Hannah tha:
“Nëse shikon përreth nesh, ka njerëz të çdo moshe. Njerëz nga të gjitha përkatësitë etnike dhe të gjitha segmentet e shoqërisë janë mbledhur, është detyra jonë të jemi në mbështetje të tyre për të treguar se nuk janë harruar edhe pse (palestinezët) ndihen sikur janë harruar. Që të gjithë jemi pranë tyre dhe prej shumë vitesh ashtu kemi qenë”.