Burime të TV21 brenda LSDM-së thonë se në parti ka zhgënjim të madh me sjelljet në muajin e fundit të partnerit të koalicionit, BDI-së. Sipas të njëjtit burim, BDI-ja dhe LSDM-ja kanë pasur marrëveshje verbale që zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mos mbahen së bashku, si është vendosur tashmë, por të mbahen në data të ndryshme.
LSDM-ja e pranoi këtë sepse marrëveshja ishte që BDI-ja të mbështeste kandidatin konsensual për president të propozuar nga LSDM-ja, gjegjësisht Stevo Pendarovskin, dhe të dilnin së bashku me lista të përbashkëta si front evropian në zgjedhjet parlamentare.
Burimi me të cilin ka folur TV21 thotë se BDI e ka dhënë besën, por nuk e ka mbajtur. Si rezultat i kësaj, këto ditë në LSDM ka pasur pakënaqësi të mëdha pas veprimeve të BDI-së.
Si reflektim i kësaj mund të përmendet seanca e djeshme e Qeverisë, ku ka pasur mospajtime mes anëtarëve të qeverisë, gjegjësisht mes LSDM-së dhe BDI-së. Disa ministra të BDI-së u larguan nga seanca në mënyrë që mos të kishte kuorum për disa pika të rëndësishme për LSDM-në.
Reflektimi mund të vërehet edhe sot në seancën parlamentare gjatë votimit të rendit të ditës. LSDM tash e kushtëzon Ligjin për Lojërat e Fatit, pas çka pika kaloi në fund të rendit të ditës.