Një vit pas arritjes së dakordimit në Ohër rreth Aneksit për Zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka shprehur keqardhje për mungesën e përparimit duke kërkuar prej Kosovës dhe Serbisë që të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve dhe të kalojnë në një epokë të re – evropiane. Njohës të zhvillimeve thonë se palët nuk u treguan konstruktive në zbatimin e atyre për çka janë dakorduar
Tensionet në veri që kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe diskutimet për çështjen e dinarit që u aktualizua së fundi, kanë çuar në bllokadë zbatimin e pikave për të cilat Kosova dhe Serbia janë dakorduar në dialogun e Brukselit.
Të hënën mbushen një vit që prej arritjes së dakordimit në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë rreth Aneksit për Zbatimin e Marrëveshjes. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, përmes një deklarate për media të dielën ka thënë se është koha e fundit që Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re – atë evropiane.
“Është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur progres shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e detyrimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje. BE rikujton vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar. Prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm. Tani është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re – evropiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se presin që liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership duke bërë progres në zbatim pa vonesa të mëtejshme.
“Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i gatshëm për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë në çdo hap gjatë rrugës, por ata janë ata që duhet t’i ndërmarrin ato hapa dhe të ecin përpara”, ka përfunduar ai.
Entuziazmi që pati mbretëruar në Bashkimin Evropian pas arritjes së Marrëveshjes Bazë dhe aneksit për zbatimin e saj mes Kosovës e Serbisë, ishte shuar shpejt pasi mungoi vullneti për zbatimin e tyre. E pas shpërthimit të tensioneve në veri që kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, BE-ja u mor me menaxhimin e krizës duke e lënë dialogun nën hije. Për pasojë, asnjëra prej pikave të dakorduara nga marrëveshja e fundit nuk ka nisur ende së implementuari.
Rrezik që dialogut të transformohet
Analistët vlerësojnë se është e domosdoshme që palët t’u kthehen obligimeve të marra përsipër, megjithëse e konsiderojnë të vështirë për shkak të veprimeve që lanë nën hije zbatimin e marrëveshjes.
Analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se mospërmbushja e obligimeve nga dialogu i Brukselit dhe mungesa e kompromisit do të jenë pengesë për të dyja vendet. Sa i përket Kosovës, sipas tij, nuk do të mund të shmanget obligimit kryesor në të cilin po insiston BE-ja dhe SHBA-ja.
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe konsiderohet kompromis atëherë edhe benefitet do të jenë shumë më të mëdha. Pa marrë parasysh nëse do të zgjidhet në këtë mandat apo do të kemi zgjedhje të reja dhe pastaj do të kemi një qeveri tjetër, tema e Asociacionit do të jetë aty, por po humbet kohë. Vetëm sa do të grumbullohen problemet dhe ka indikacione që me zgjedhjet në BE dhe Shtetet e Bashkuara mund të transformohet radikalisht edhe konteksti i përgjithshëm global”, ka thënë Muhaxhiri. “Me këtë edhe interesimi për Ballkanin dhe Dialogun, pastaj mund të hyjmë në një rrugë pa krye rezultatin e së cilës nuk mund ta parashikojë askush. Por është e sigurt se do të jetë shumë më problematike sesa gradualiteti i qasjes aktuale që është me administratën Biden edhe me konstalacionin përbrenda lidershipit të BE-së”, është shprehur Muhaxhiri.
E të premten zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, konfirmoi se më 19 mars do të mbahet takim i ri në kuadër të dialogut, në kuadër të angazhimeve për zbatimin e marrëveshjes.
Mes tjerash do të trajtohet edhe Rregullorja e Bankës Qendrore (BQK) që njeh vetëm Euron si valutë zyrtare në vend. Por sipas asaj që kanë deklaruar zyrtarë që qeverisë gjatë kësaj jave takimi i ardhshëm ka në fokus diskutimet për avancimin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit.
Por Artan Muhaxhiri thotë se takimi do të zhvillohet në hijen e kritikave dhe akuzave të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të bëra me rastin e vizitës në Prishtinë.
“Në fakt kryeministri Kurti e ka vendosur veten në pozitën shumë të vështirë sepse tash edhe nëse diskuton për dinarin do ta shkelë premtimin që e ka bërë më herët, pra që vendimi është i panegociueshëm. Nga ana tjetër, nëse nuk diskuton për dinarin atëherë do t’i prish edhe më shumë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuar të Amerikës”, ka thënë Muhaxhiri.
Sipas tij, vendimi për dinarin ka qenë krejtësisht i panevojshëm, “sepse është shndërruar në problem të ri në spektrin e problemeve ekzistuese që pritet të zgjidhen veçanërisht në kontekstin e dialogut, me fokus të veçantë në Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe”.
“Pra nga një problem po kalohet në problemin tjetër, derisa boshti kryesor, elefanti në dhomë që është Asociacioni nuk po trajtohet në mënyrën që po kërkohet nga aleatët anë veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka potencuar Muhaxhiri.
Pritje pozitive nga takimi në Bruksel nuk kanë as përfaqësues të opozitës, që kanë akuzuar qeverinë se po rrezikon partneritetin me ShBA-në.
“Ne duhet të jemi realë në politikë. Bashkimi Evropian e ka pasur mbështetjen e plotë nga Departamenti i Shtetit në agjendën e dialogut të udhëhequr nga zotëri Lajçak. Kjo qeveri ka rrezikuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për eksperimentime që më pas është tërhequr. A është tërhequr prej tabelave, prej reciprocitetit? A është tërhequr prej zgjedhjeve lokale në veri, ku nisi peticioni për rrëzimin e kryetrarëve që janë me 100 vota. Pse e bëri këtë? Është një eksperimentim që nuk guxojmë ta bëjmë”, ka thënë deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.
Sipas tij, ndërkombëtarët e kanë kuptuar se Kurti është joserioz në temën e dialogut.
“Kjo qeveri dhe ky kryeministër e ka pranuar marrëveshjen e Brukselit dhe i ka thënë po planit të veprimit të Ohrit dhe po ashtu është dakorduar në Bratislavë për disa tema. Ky kryeministër ka thënë se unë jam i gatshëm që nesër me nënshkru Asociacionin. Faktori ndërkombëtar, kur e ke këtë qasje dëshiron të të shoh serioz, e ky nuk është serioz. Nuk ka qenë në gjendje me i dërgu pesë faqe propozim për Asociacion. Nuk kemi një vlerësim kritik, një vlerësim empirik, institucional të qeverisë së Kosovës për Asociacionin”, ka theksuar Tahiri.
Vuçiq paralajmëron ndryshim të qasjes në dialog
E Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar ndryshim të qasjes në dialog me Kosovën, pa treguar se cila do të jetë ajo.
“Kur dikush të mashtron një herë, kjo u ndodh njerëzve të mirë, sepse i besojnë fjalës apo nënshkrimit të dikujt. Por, kur të mashtron për herë të dytë, ju mund të keni besuar tepër apo keni dashur të besoni. Nëse vazhdon kështu, atëherë nuk flitet për atë që të ka mashtruar, por se jeni budalla. Ne nuk jemi më aq budallenj”, ka thënë Vuçiq.
Në mungesë të përparimit në dialog dhe referuar situatës në veri ka shqetësime për mundësinë e tensioneve. Aty u përmendën edhe raportet e inteligjencës amerikane.
Muhaxhiri vlerëson se Kosova nuk duhet të bjerë në grackën ku shihet si krijuese e problemeve.
“Është e mundshme që të ketë edhe incidente të tjera, edhe pakënaqësi edhe bllokada me të cilat jemi ballafaquar që prej pasluftës nëse nuk ka progres në çështjen e dialogut sepse forcat destruktive mezi e presin një bllokadë, mezi e presin një hendek mes Kosovës dhe aleatëve në mënyrë që ta shfrytëzojnë dhe keqpërdorin atë hapësirë për qëllimet e tyre dhe ta prolongojnë çështjen e zgjidhjes”, ka potencuar Muhaxhiri. Sipas tij, zgjidhja e problemeve nuk i konvenon vetëm Serbisë.
këtë arsye, Kosova nuk do të duhej që të binte në grackën e krijimit të problemeve të reja, e ofrimit të hapësirës dhe e shenjëstrimit si krijuese e problemeve, ashtu siç ndodhi fatkeqësisht me çështjen e dinarit, me pasojat e së cilës tani po duhet të merremi”, ka thënë Muhaxhiri.
Zyrtarë të Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë akuzuar palët në dialogun Kosovë-Serbi se nuk po angazhohen mjaftueshëm për zbatimin e marrëveshjeve.