Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, nga Cyrihu theksoi rëndësinë e mërgatës shqiptare, në shumë procese të rëndësishme për shqiptarët në trojet e tyre.

Gashi tha se ndryshimi është parakusht për tu bërë mirë. Sipas tij, në asnjë vend nuk mund të bëhet mirë pa u ndryshuar gjërat.

“Ndryshimi është esenca e demokracisë. Rotacioni politik është i domosdoshëm për ta parë a mund të bëhet më mirë. Nëse edhe pas 24 prillit dhe 8 majit vazhdon të mbetet në pushtet estabilishmenti i njëjtë, asnjë prej nesh nuk besoj se shpreson se mund të bëhet më mirë. Ne e dimë si ka qenë, do të jetë ashtu. Prandaj, për ta provuar për ta bërë më mirë, prandaj, e domosdoshme, esenciale, është që ta bëjmë ndryshimin më 24 prill dhe 8 maj”, tha Gashi, duke shtuar se ky ndryshim nuk mund të bëhet edhe pa ndihmën e diasporës.

Gashi tha se ata nuk e kanë për qëllim vetëm të bëhet rotacioni politik, vetëm të ndërrohen emrat e mbiemrat e njerëzve që i zëvendësojnë pozitat në pushtet.

“Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar dhe pikërisht për këtë arsye jemi bërë bashkë që ta ndryshojmë jetën e shqiptarëve në Maqedoni”, deklaroi Gashi.